Çollaku: Më 8 shtator presim përmbyllje të marrëveshjes

Shumë optimizëm kishte para takimit të djeshëm në Bruksel, por sërish Prishtina dhe Beogradi nuk u morën vesh për telekomunikacionin dhe energjetikën. Këshilltari politik i kryeministrit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, tha se ka pasur përafrime të konsiderueshme në arritjen e marrëveshjes për energji dhe telekom.
”Marrëveshja për energji dhe telekomunikacion mund të konsiderohet pothuajse e mbyllur. Presim që më 8 shtator ta përmbyllim edhe zyrtarisht. Gjithashtu është shënuar progres në përmbyllje rreth marrëveshjes për energji. Si çështje e vetme, e cila nuk është përmbyllur, ndërlidhet me menaxhimin e nënstacionit në Vallaq. Edhe në këtë pikë është shënuar përparim, dhe në takimin e radhës presim përfundim të marrëveshjes edhe në fushën e energjisë. Të dyja këto marrëveshje do t`u japin fund veprimeve ilegale të operatorëve nga Serbia, dhe më në fund Kosova do ta ketë kodin e saj shtetëror telefonik të njohur ndërkombëtarisht”, theksoi Çollaku për RTK.
Si sfidë në tërë këtë proces mbetet shuarja në tërësi e të gjitha strukturave paralele serbe duke filluar nga ato të sigurisë. Edhe pse ishte paralajmëruar se më 30 shtator nuk do të ketë struktura paralele në veriun e Mitrovicës, kjo gjë si duket do të marrë kohë më shumë. /Indeksonline/