E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ç’kërkojnë kryetarët e partive të vogla

Nuk janë partitë e vogla ato që me këmbëngulje kërkojnë “tryezë” të përbashkët për reformën zgjedhore, por më së tepërmi kryetarët e tyre, të cilët ndihen të rrezikuar, të mënjanuar e të kërcënuar jo vetëm nga zgjedhjet e kaluara, po edhe të pritshme parlamentare (se brenda partive të tyre ata nuk kanë nevojë për zgjedhje, për rregulla, statute e kufizim mandati, pasi edhe ata njëlloj si kryetarët e mëdhenj, janë të vetëzgjedhur të përjetshëm!). Trysnia e kryetarëve liliputë sa vjen e do të bëhet më rakatake në mënyrë që edhe ata të bëhen pjesë e Reformës për t’u faktorizuar, për të qenë të pranishëm, d.m.th të zgjidhen përsëri deputetë. Nëpër ekrane dalin e thonë se kanë merakun si e si të shkojë haku te kandidati, si të respektohet një për një çdo votë ani pse askush syresh, prej njëzet vitesh, nuk është ballafaquar me votën direkte në mazhoritar për të dalë, pas procesit, legjitimisht i zgjedhur, përfaqësues. Afërmendsh, pjesëmarrjen e domosdoshme në “tryezë” nuk e lypin për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, por për siguri vetjake. Ata këmbëngulin për proporcionalin e pastër rajonal, së paku për atë kombëtar, pasi vetëm kësisoj shpresojnë se mund të futen në listën e ardhshme të 140 deputetëve. Por, shpresa më e madhe është te thesi, d.m.th te listat që do të formulojnë dy kryetarët e mëdhenj. Tek e fundit listat do t’i shtërngojnë të bien më në fund të pajtohen, sigurisht nëse i pyet dikush me verdiktin e kryetarit të madh, pas të cilit ata e kanë lidhur kapistallin që ndryshe quhet “koalicion”.
Sa herë kryetarët e partive fantazmë kanë humbur në mënyrë të turpshme, “faji” përherë i është hedhur në mos sistemit zgjedhor, vjedhjeve e blerjeve të votave, manipulimeve të kundërshtarit, komisionerëve të shitur. Asnjëherë nuk është pranuar humbja si e mirëqenë e si normë. Nuk ka alibi më të shijshme për kryetarët e vegjël se mosnjohja e zgjedhjeve nga një prej dy partive të mëdha. Prandaj pas zgjedhjeve përherë dëgjohet: Humba se më vodhën. Pra vetëkuptohet që unë si kryetar nuk kam humbur, kështu që nuk ka pse dorëhiqem! Berisha nuk dha dorëheqje as në vitin e katrahurtë të ‘97-ës kur Shqipëria ra në duart e paqeruajtësve për faj të tij… Ky shembull vlen si një pasqyrë, si një pikë referimi për të gjithë kryepartiakët tanë të pazëvendësueshëm, të vegjël apo edhe të mëdhenj. Kur nuk u dorëhoq Berisha në vitin 1997 dhe kur u ringrit nga hiri në vitin 2005, pse duhet të ikim ne që nuk kemi bërë mëkate dhe ububura të tilla? Pse duhet të ndjekim fatin e Nanos që “iku në drejtim të paditur” e tash nuk e përfill njeri as në partinë e vet? Ja pse nuk ka dorëheqje, nuk ka kufizim paraprak të mandatit me statut, pasi dorëheqja, ca me zi ikja me ose pa statut, me ose pa nder, do të thotë rënie e lirë në anonimat, në hiçnajë, në humbellë. Është provuar tashmë se kush ikën nga partia, kush e lëshon partinë, kush nuk merr pjesë në një parti është më humbës se ai që i humbet në një palë zgjedhje, pasi humbja e partisë nuk ka kthim prapa, nuk ka shans të dytë, pasi do të jetë përfundimtare, e pandreqshme, e pakthyeshme e fatale. Partia, edhe po të jepet me qira, nuk i kthehet më të zotit.
Dihet që falë mercenarëve komisionerë, humbësi tek ne mund të shpallet fitues dhe anasjelltas, por kjo mbrapshti zgjedhore sajohet edhe pse kryepartiakët bëjnë të pabërën e të pamundurën që procesi parazgjedhor të jetë dhe të mbetet pazar, një allishverish ballkanik nën ose mbi “tryezë”. Këtë, padyshim, më mirë se kushdo e dinë kryetarët e mini-partive, të cilët falë pazareve të “tryezave” janë bërë edhe deputetë edhe ministra, duke mbijetuar në dy dekada, pa qenë e nevojshme të votohen… Fakti që nuk kanë mercenarë me shumicë e nuk mund të rekrutojnë/emërojnë komisionerë e përfaqësues të bindur në KQZ, i detyron të kërkojnë me ngulm të jenë vetë, më së paku, diku në cep të “tryezës” zgjedhore e ndërpartiake, aty ku vendosen rregullat e “kumarit” të radhës të zgjedhjeve... Nëse kryetarët e partive të mëdha dehen nga mbipesha e fuqisë, kryetarët e partive të vogla janë megalomanë të shpifur ngaqë vuajnë mungesën e peshës.
***
E vërteta flet se kryetarët e partive fantazma kanë mbijetuar, janë bërë deputetë e ministra, të pasur e të shquar më shumë se të kishin pas qenë akademikë, pronarë, trashëgimtarë a biznesmenë. Duke hyrë nga dera e pasme e partive të mëdha, nga “kockat” që u hedhin të mëdhenjtë me justifikimin e aleancave, pra jo nga vota e popullit, kryetarët e mini-partive pa anëtarë, të përdorur e të keqpërdorur sa nga e majta e aq edhe nga e djathta, herë si tamponë e pampersa e herë si altoparlantë, janë shfrytëzuar me sukses për të justifikuar e ligjëruar koalicionet, “qeverisjet me shumë parti”, d.m.th gjasme pluralizmin… Sistemi dypartiak pas ndryshimeve kushtetuese ngjason më shumë me sistemin njëpartiak sesa me një sistem pluralist jo vetëm për shkak të autoritarizmit dhe arrogancës të atij që ka fituar pushtetin, por edhe se partitë e tjera të vogla kanë shërbyer si lubrifikant për këtë lloj mekanizmi “demokratik”.
Partitë e vogla, të paqena, pa anëtarë, pa forume (vetëm me kryetarë), pa peshë reale në zgjedhje, mbeten një nga faktorët më ndikonjës në shoqërinë tonë që pluralizmi të degradonte në një formalitet, sepse si tek e djathta, si tek e majta, përherë ka qeverisur mono-partia me një kryetar të gjithëpushtetshëm, portreti i të cilit është trukuar e grimuar me ndihmën e kinse aleancave, jashtë forumeve, pa respektuar vullnetet e anëtarësisë të partisë, aq më pak të zgjedhësve.
Tek ne ka më shumë iluzion optik të pluralizmit se sa pluralizëm të vërtetë. Në mënyrën më spektakolare këtë “mision” të depluralizimit e kreu LSI, jo vetëm se mori vota nga e majta e solli në pushtet të djathtën, por se ringjalli praktikën e vjetër të diktaturës, sipas së cilës nuk ka rëndësi se si votohet, por kush i numëron e për më tepër, kush i privatizon votat. A do të kishte hyrë kësaj here në Kuvend kryetari i PR nëse nuk do të kishte shpërthyer Gërdeci? Thashë “nuk”, që do të thotë se shpërthimi e bëri domosdo deputet, jo vetëm për imunitet… Po sikur pronar i Gërdecit të kishte qenë një kryetar mini-partie i opozitës, a nuk do të ishte sot në burg?... Logjika demokratike në një shoqëri normale e lyp që një kryetar i tillë, i akuzuar për shpërthimin tragjik të mos guxonte të kandidonte, por Mediu e mori mandatin (falë interesit “jetik” të kryetarit të madh të PD-së, Berishës…) e jo vetëm që u bë deputet, po edhe ministër …i Mjedisit! A ka politolog që mund të shpjegojë këtë absurd alla shqiptar? (Vini re: a nuk janë më të egrit, sherrxhinjtë më intolerantë ata ish kryetarë mini partish (ish karrigethyerit) që u penduan e meqë dështuan u kthyen, të dhj…ë por krenarë ose në PD ose në PS?!)… Prandaj si kur ka qeverisur PS si tani PD përveç “fitores” së 20% për emërimin e militantëve dhe sigurimin e favoreve (posteve, pronave e pasurive), partitë e vogla aleate dhe kryetarët e tyre askush dhe asnjëherë nuk kanë guxuar të ndikojnë që mazhoranca t’i vërë “gishtin kokës”, në të kundërt kanë pranuar me zell rolin e lapërdharit, të vetëleqendisurit, të lavatriçes duke larë e shpëlarë pa pikë turpi para ekraneve sahanët dhe fytyrën e pistë të kryetarit të madh, sado zullumqar qoftë ky...
Duhet pranuar që kjo katrahurë në ind të pluralizmit e në sistem të vlerave morale është krijuar në këto njëzet vjet jo vetëm nga dehja prej mbifuqisë e kryetarëve të partive të mëdha, por edhe nga hiç-partitë me kryetarë butaforikë, të cilët gjallojnë si larva, pa forume, pa kryesi, pa ide, pa alternativa, pa elektorat, pa moral, pa anëtarë dhe sidomos pa rrotacion. Janë këta më të interesuarit që të fabrikohet vjedhja e votës, se pa vjedhje e pa manipulim, ndonjëherë edhe me ligj të “tryezave”, ata nuk mund të mbijetojnë politikisht asnjë ditë. Është e vështirë të mohohet që pluralizmi në Shqipëri është shfytyruar jo vetëm nga sundimi autokrat i kryetarëve të mëdhenj, por edhe nga shembulli i njëjtësuar i kryetarëve të vegjël, të cilët edhe kur humbasin (aq sa si thuhet se as gratë e sekretaret e tyre nuk votojnë për ta), e kanë bërë të natyrshme që siglën e partisë ta mjelin si një lopë, e cila kurrë nuk e humb as peshën, as qumështin, pavarësisht se nuk pjell e nuk e vlen as për kasapin e lagjes (të zgjedhjeve)…
***
Është hera e parë që të gjithë kryetarët e partive të vogla i pamë të rreshtuar rreth një halli të përbashkët “për reformën zgjedhore”. Për të mbetur sa më gjatë në “tregun e politikës” kryetarët e vegjël bënë si bënë dhe u bashkuan pavarësisht nga bindjet, rreshtimet, koalicionet, inatet dhe grindjet me të njëjtin synim. Nëpërmjet ndryshimit të Kodit Zgjedhor të gjenden në tavë, në mënyrë që të jenë të garantuar e të sigurt se nuk do të mbeten me gisht në gojë, si në zgjedhjet e kaluara. Nëse nuk do të bëhen përsëri deputetë, ata e dinë se kësaj here do të dalin përfundimisht nga politika, pasi në vitin 2013, rrezik të luhet edhe për ta ”kënga e fundit e mjelmës”.
Ja përse privatizimi i një partie ka më shumë vlerë se një biznes, fabrikë apo kombinat. Sot ne kemi mbi njëqind e ca parti, ku e ku më shumë nga ç’ka fabrika e kombinate, duke zënë vend të parë në botë edhe në këtë drejtim, për frymë popullsie. Pikërisht kjo shumësi partish pa emër e pa identitet ka bërë që roli i partive të reja, i alternativave të tjera, n’daç kuqezi apo faqezi, të jetë nesër sa më minimal. Në bindjen e rrënjosur te shumica e qytetarëve se “të dy palët janë njësoj”, mungesa dhe pamundësia e lindjes dhe konkurrencës reale dhe efektive e partive të tjera apo të reja, e ka bërë pluralizmin bashkë me sistemin e demokracisë, jo funksional, të mosbesueshëm, pse jo edhe të padobishëm. Djerrëzimi i qëllimtë i hapësirës për konkurrencë të ndershme brenda partive, por sidomos mes partive e ka shfytyruar demokracinë dhe pluralizmin në Shqipëri duke e katandisur në një lojë kukamçefti jo dhe aq mes dy partive, se sa mes dy kryetarëve të partive më të mëdha. Ky mur nuk mund të kapërcehet jo më nga njëqind e ca partitë e sotme minorene, po as edhe nga një e nesërme, sado shpresësjellëse qoftë ajo. Fakti që zgjedhësi është i detyruar të zgjedhë një nga të dy, pa një rrugëdalje tjetër është padyshim cënim i rëndë i sistemit i pluralizmit e i funksionimit normal të votës.
Për të ndrequr këtë kryengërç nuk mjafton vetëm rritja e pragut elektoral, as disa modifikime në Kod e në KQZ, por lipset më thelbësorja: Të krijohen kushte që nëpërmjet zgjedhjeve, nëpërmjet peshores së votës të lirë e të ndershme, të çlirohen partitë e mëdha e të vogla, nga kryetar-pronarët e tyre të përjetshëm. Vetëm atëherë pluralizmi dhe demokracia do të mund të dalin nga ngërçi, kur humbësi të pranojë që humbi ndershmërisht dhe, pas kësaj të ikë në punë të vet! Pa këtë rregull nuk mund të ketë funksionim normal të demokracisë. Ka ardhur koha, në mos është tepër vonë, që të ndërtohet një pluralizëm i ri, pasi ky, në mos dështoi, doli shterpë duke na lënë në ngërçin e tejzgjatur të tranzicionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›