Gjirokastër, kapet 98 kg kanabis, në kërkim poseduesi

Kapet sërish drogë në Gjirokastër. Burime nga policia bëjnë me dije se gjatë operacionit të koduar “Ngrica 2” janë sekuestruar 98 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa ndërsa është shpallur në kërkim poseduesi i saj.
Sipas policisë në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet një automjet ka qënë duke transportuar drogën por porsa ka parë punonjësit e policisë drejtuesi i mjetit është kthyer mbrapsht duke u larguar menjëherë.
Në ndjekje të tij janë vënë automjetet e policisë por drejtuesi i mjetit ka hedhur në ferra 98 pakot e mbështjella me letër natriban ku brenda tyre ndodhej lënda narkotike. Pasi ka hedhur pakot automjeti ka vazhduar lëvizjen por rreth 1 km më pas mjeti ka pësuar defekt dhe drejtuesi i saj është larguar me vrap në drejtim të pyllit.
Pas kqyrjes së zonës nga ana e policisë është bërë e mundur gjetja e mjetit si dhe identifikimi i drejtuesit të tij,një shtetas nga Këlcyra me inicialet V.A 26 vjeç por gjeneralitetet e tij për arsye hetimi nuk bëhen të ditura.
Lënda narkotike dhe automjeti janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale ndërkohë që po punohet për kapjen e autorit, personave të tjerë të implikuar në trafik,origjinën e lëndës narkotike si dhe destinacionin përfundimtar të saj.