E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çudia e Hanoverit, test seksual futbollistëve

GJERMANI - Një listë pyetjesh me të dhëna shumë personale, përfshi edhe dëshirat seksuale. Është kjo ajo që ka bërë Hanoveri, klubi që mban vendin e gjashtë në Bundesligën gjermane.
Trajneri Mirko Slomka, në bashkëpunim me konsulentin Peter Boltersdorf, i ka nënshtruar futbollistët në një test psikologjik, nga më të çuditshmit që është parë ndonjëherë. Testin e ka bërë edhe vetë trajneri, ndërsa qëllimi është të zbulohet nëse ndonjëri prej pjestarëve të ekipit ka probleme psikologjike, siç ndodhi me portierin Robert Enke dy vjet më parë. Lista përmban 128 pyetje dhe lojtarët duhet të përgjigjen me pikë nga -3 në +3, por ato janë vërtet të çuditshme. “A jam i shfrenuar seksualisht”; “A e dua të gjithë seksin që mund të më ofrohet”; “A kam shumë fantazi erotike”; “A jam i papërmbajtshëm në shtrat”. Janë këto disa nga pyetjet që u janë nënshtruar lojtarët dhe që sipas klubit, duhet të ofrojnë një profil komplet të çdo futbollisti dhe më pas të ekzistojë një ide për motivimin e tij.
“Me këtë test mund t’i kuptoj më mirë futbollistët e mi”, komenton trajneri Mirko Slomka. Rezultatet do të vlerësohen nga konsulenti motivues Peter Boltersdorf, që ka bashkëpunuar edhe me klube si Shalke, Alemanja Ahen, Këlni apo kombëtarja e volejbollit të Gjermanisë. “Çdo futbollist, - shpjegon konsulenti, - ka nevojë për kondicione të ndryshme për të dhënë më të mirën në një periudhë të gjatë.
Të gjithë futbollistët duhet të dëgjojnë se si janë vlerësuar dhe marrë në konsideratë karakteristikat e tyre individuale”, shtoi ai.

(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›