E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Çudia" në Korçë përtej tri ditëve

I takon Qeverisë që të akordojë një fond të veçantë, për të kompensuar ligjërisht pronarët e babëzitur të Shtëpisë së të lavdishmit Themistokli Gërmenji në qytetin juglindor, dhe vetëm pas këtij veprimi, Bashkia e Korçës mund të investojë për ringritjen e atij objekti muzeal të kategorisë së parë. Përndryshe...

Vizita ime e përsëritur në Korçë përpara dhjetë ditëve nuk zgjati shumë. Arsyeja e kthimit të shpejtë në Tiranë, pikërisht atëherë kur këtu përjetoheshin temperatura të larta dhe prandaj shumëkujt i shkonte mendja te freskia e qytetit juglindor, nuk kishte të bënte me ndonjë ndryshim të motit, apo me padurimin për të pritur festën e bukur të përvitshme të "Birra Korça". Ajo që më shtyu të kthehesha shpejt në Tiranë kishte të bënte me interesimin për fatin e mëtejshëm të një objekti në qendrën e këtij qyteti, fat që varej edhe nga disa organe të pushtetit qendror, te të cilat nuk m'u hapën jo vetëm dyert, por as numrat e telefonave celularë.

Në bisedat dhe shëtitjet me disa miq të mi në Bulevardin e "Shën Gjergjit" në qendër të Korçës, vendin kryesor e zuri shqetësimi për mosmbajtjen e një objekti - monument kulture, cilësuar me shumë të drejtë si i kategorisë së parë. Është fjala për ndërtesën e ngritur që në shekullin XIX, nga e cila pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe gjatë Luftës së Parë Botërore, saktësisht më 10 dhjetor 1916, një komision i kryesuar nga një prej rilindasve të fundit shqiptarë, Themistokli Gërmenji, zyrtarisht u shpall autonomia e zonës së Korçës. Nga ballkoni i asaj ndërtese u ngrit flamuri ynë kombëtar, ndërsa poshtë dhe përballë tij populli i mbledhur me këtë rast brohoriste: "Rroftë Shqipëria!", "Rroftë flamuri!". Protokolli i nënshkruar atë ditë me autoritetet ushtarake franceze (palë ndërluftuese në territorin shqiptar) përbën një ngjarje të shënuar historike jo vetëm me karakter krahinor, por edhe kombëtar. Sepse, sikurse është theksuar bindshëm në tekstet e historisë së Shqipërisë, me largimin atëherë të pushtuesve grekë që e mbajtën nën sundimin e tyre Korçën dhe krahinën e saj për 14 muaj rresht, dhe me ngritjen dhe strukturimin e asaj që u quajt "Krahinë autonome", apo edhe "Republikë autonome", jo vetëm që u njoh karakteri etnik shqiptar i popullsisë së trevës së Korçës, por u krijuan kushte më të përshtatshme për të luftuar më me forcë pretendimet shoviniste greke mbi gjithë Shqipërinë e Jugut. Pra, Korça dhe krahina e saj mbetën këtu. Mbetën këtu edhe falë atij akti të lavdishëm, mbetën këtu me krenarinë atdhedashëse të qytetarëve të saj, të cilët kurrë nuk e kanë shuar zjarrin e dashurisë së tyre për vendin, jetën e lirë dhe dashurinë e ëmbël.

Por kohët e fundit, kur mendohet të bëhen përgatitjet për të festuar denjësisht jubileun e 100-të të Pavarësisë së Shqipërisë dhe shtetit të saj, Shtëpia e Themistokliut në mes të Korçës nisi të rrënohej. Para dhjetë ditëve e shihja se si atë po e gërryenin nga brenda. Se si ata që e kanë blerë në vitet '90 me mënyrë, rrugë dhe mjete të dyshimta po kërkonin të shthurnin, shkatërronin, zhbënin dhe shuanin këtë gjurmë të thellë të historisë sonë, të vetëdijes së këtij kombi për t'u organizuar dhe vetëformuar në një shtet të mëvetshëm me sytë nga civilizimi dhe qytetërimi europian. Të hidhnin në erë një ndërtesë që nuk dallohej vetëm nga ca mure dhe një ballkon me pamje nga bulevardi qendror i Korçës së bukur. Të rrënonin përfundimisht atë godinë, që bashkë me një shtëpi në mes të Vlorës dhe një tjetër në Lushnje simbolizojnë përpjekjet e shqiptarëve që brenda më pak se dhjetë vjetësh të kohërave të vështira arritën të hidhnin bazat e shtetit të tyre. I shoqëruar nga preokupimi serioz i miqve të mi dhe i plot qytetarëve korçarë, për rrezikun që i kanosej një vlere të mirëfilltë të trashëgimisë sonë të vyer, çka më shtyu që përballë objektit të shkrep disa herë aparatin fotografik, sapo erdha në Tiranë nisa të interesohem për masat që mund të ndërmerreshin sa më shpejt nga institucionet shtetërore përgjegjëse, titullarët e të cilëve hapnin veshët edhe për porositë që jepte Kryeministri, sipas të cilit në këtë vit jubilar të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë duhej interesuar veçanërisht për Perandorin e lashtë Konstandin(?!).

Megjithatë, fatkeqësisht u përballa për disa ditë rresht, si asnjëherë më parë, me një indiferentizëm kërcënues. Prandaj, pa kaluar as vetëm disa orë iu drejtova kompjuterit. Me televizorin ndezur dhe gishtat mbi tastierë nisa të hedh disa radhë, që shumë shpejt u ndërprenë, mbetën pezull. Mbetën pezull, ngaqë mësova se ajo për çka po shkruaja nuk kishte më vlerë. Nuk kishte më vlerë, sepse natën, ndaj të gdhirë të asaj dite, Shtëpinë që dikur ka qenë një muze i dashur dikush e kishte shembur përfundimisht me mjete të forta. Në kronikat televizive që vijuan, nga Korça Drejtorja e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë bënte të habiturën përpara kamerave. Kurse këtu në Tiranë, Drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës e quante "të arsyeshme" t'i shmangej përgjegjësisë, duke thënë që ajo ndërtesë nuk kishte ndonjë vlerë arkitektonike, pa e hedhur aspak vështrimin edhe se si është katandisur Pazari i vjetër i këtij qyteti. Të vetmin ngushëllim e përbënte në ato çaste një deklaratë e Kryetarit të Bashkisë së Korçës, i cili kumtonte se, përveç kallëzimit penal që kishin bërë në Polici dhe Prokurori për shkaktarët e atij krimi, në organin e pushtetit vendor që ai drejtonte ishte vendosur të ringrihej Shtëpia Muze qysh nga themelet me fondet e Bashkisë, pra të taksapaguesve korçarë, brenda datës 28 Nëntor të këtij viti. Të ringrihej e plotë dhe hijerëndë, siç e meritonte, por...duhej pritur që të ndizej drita jeshile nga pushteti ekzekutiv qendror. Ndërkohë, asnjë reagim nga Ministria e Kulturës. Asnjë reagim as atë ditë, kur u njoftua bëma e një "çudie" në formën e mallkimit, që hedhim mbi të gjithë ne një grup i vogël shkatërrimtarësh dhe pushtetarësh të korruptuar deri në palcë. Por, por... as edhe deri tani, kur vendosa t'i kthehem kësaj teme, pa arritur që kalendari të shfletohet si zakonisht.

Vendosa t'i kthehem kësaj teme, pasi ndenja sigurisht disa ditë për të verifikuar vërtetësinë e atij proverbi të vjetër: "Edhe çudia më e madhe tri ditë e ka jetën". Ama jo! Tri ditë kaluan, kaluan edhe tri të tjera, të tjera, të tjera. Dhe qytetarët korçarë vazhdojnë të ngrenë zërin me tone gjithnjë e më të larta për të kthyer në qytetin e tyre atë vlerë të vyer kombëtare, përballë së cilës qëndron një tjetër ndërtesë, ku u hodhën themelet e një konstituimi shpirtëror të të gjithë shqiptarëve: Mësonjëtorja e parë e gjuhës shqipe. Sikurse e ka vendin pak më tutje, shtëpia e Mihal Gramenos, që e mbuluar prej një kafeneje të rëndomtë rrezikon ta humbasë identitetin e vet dhe bashkë me të 'kujtimin e këtij rilindësi tjetër të madh, që bëri aq shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në këtë vështrim, nuk do të ishte e tepërt që i gjithë ky ansambël të shpallej monument kulture, nën kujdesin e veçantë të shtetit. Pikërisht nën këtë kujdes që meriton deri në detaje shtatorja e paimitueshme e rilindësit të shquar Themistokli Gërmenji, që e punuar dhe e krijuar në mënyrë të paimitueshme nga Artisti i Popullit, Odise Paskali, të vazhdojë të rrijë madhërishëm në krye të një lulishteje publike qendrore të Korçës mbarë monumentale.

Sidoqoftë, më së pari dhe më urgjente është që ringritja e asaj, emërtuar ndryshe në qytetin juglindor edhe si "Shtëpia e Flamurit", të bëhet jo vetëm për t'u ekspozuar vetëm gjatë një periudhe kohe të shkurtër, jo vetëm për t'ua lënë fatin e saj përsëri atyre që e shembën si kusarët në orët e natës ndaj të gdhirë të një dite, jo vetëm me deklarata dashamirëse dhe premtuese. Ajo është një gjurmë fizike e historisë kombëtare, dhe si e tillë duhet të konsiderohet edhe më vonë. Aq më shumë tani, kur në Bulevardin "Shën Gjergji" të Korçës dhe në shpirtin atdhetar të opinionit tonë publik është hapur një zgavër e thellë, që nuk mund të ngrejë dot veçse dëshpërimin. Pra, i takon Qeverisë që të akordojë një fond të veçantë për të kompensuar ligjërisht pronarët e babëzitur dhe vetëm pas këtij veprimi, Bashkia e qytetit të investojë ringritjen e shtëpisë muze. Përndryshe, asnjë përpjekje tjetër nuk do të kishte kuptim, me gjithë interesimin e pandërprerë të qytetarëve korçarë edhe për të financuar diçka nga xhepi i tyre. Përndryshe, festimeve të planifikuara për më 28 Nëntor të këtij viti do t'u zbehej mjaft shkëlqimi, dhe vendin e protokolleve zyrtare mund ta zinin revoltat e popullit të indinjuar. Përndryshe, ai grusht njerëzish që fitimin e bazojnë te pushtimi, shembja dhe zhdukja e vlerave kombëtare do të vazhdojë të hedhë edhe në mes të një bulevardi të shenjtëruar me frymën e shqiptarizmit blloqe të mëdha betoni, duke e shpërfytyruar gjithnjë e më tepër Korçën e kalldrëmeve dhe kangjellave, që ka frymëzuar edhe grupin patriotik 'Lira', edhe krijimin e peizazheve të ndritshme të Mios etj, edhe serenatat e ëmbla të dashurisë jetësore.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›