E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceka: Pashko tha s’ka problem çam, e futi PD në telashe

TIRANE-Nisi krejt papritur dhjetorin e ‘90-ës dhe brenda pak ditësh u shndërrua në një rrymë të fuqishme mbarëpopullore duke i dhënë goditjen më të ashpër diktaturës komuniste. Neritan Ceka, ish themelues i të parës parti pluraliste, rrëfen për “Gazeta Shqiptare” ditët që bën historinë e Shqipërisë së lirë dhe Demokratike, lëvizjen studentore që çoi në themelimin e PD-së, votimin e parë për kreun e ri të kësaj partie, ngjarjet që rrodhën më pas, grevën e urisë së studentëve për rrëzimin e bustit të diktatorit, kërkesën për shembjen e piramidës dhe kthimin e saj në disko, revoltën e shkollës së Bashkuar dhe kundërpërgjigjen e popullatës në tentativën për të hyrë në bllok teksa udhëheqësit e fundit komunistë kishin braktisur vilat qeveritare. Z.Ceka në këtë rrëfim të gjatë flet për humbjen e parë të PD-së në zgjedhjet të marsit të 91-it, konkurrencën brenda llojit, gafat e shumta të Gramoz Pashkos dhe karizmën e Sali Berishës e cila e bëri atë liderin e ardhshëm të PD-së. Z.Ceka tregon për rrjedhën e ngjarjeve të mëpasshme të PD-së, konfliktet e brendshme, shkëputjen nga PD-ja të një grupi të madh drejt Aleancës Demokratike, vitin e vështirë të ‘97-ës, rolin e tij në zgjidhjen e krizës dhe të vërtetën për bandat e asaj kohe të vështirë për shqiptarët. Politikani me një karrierë të gjatë 21-vjeçare, kryetar i PAD-së, këshilltar i kryeministrit për arkitekturën, shpjegon edhe arsyet e rikthimit në PD dhe këshillën që i dha Sali Berisha….
Z.Ceka si i kujtoni fillimet e lëvizjes antikomuniste të dhjetorit ‘90, ishte e papritur apo e përgatitur prej kohësh?
Natyrisht që është një lëvizje e papritur për pjesën më të madhe të intelektualëve sepse fillimi i lëvizjes për përmbysjen e diktaturës varet nga ngjarjet e 2 korrikut të ‘90-ës kur njerëzit u futën nëpër ambasada duke i bërë një sfidë pushtetit. Por u duk sikur ky ishte njëkohësisht një shkarkim i tensionit në momentin që gjithë kjo masë u largua nga Shqipëria dhe pastaj filloi një politikë e PPSH-së për t’i hapur dyert për të kaluar shqiptarët nga Shqipëria. Në atë kohë u lehtësuan në një farë mase marrja e vizave nëpër ambasadat sidomos të atyre që kishin njerëzit jashtë shtetit. Më pas pati një ulje të tensionit, pasi edhe Ismail Kadare u arratis në Francë bashkë me familjen, bëri një deklaratë kundër pushtetit dhe diktaturës. Kjo ishte një shpresë e re. Por në fakt nuk ndodhi asgjë. Dukej sikur Shqipëria vazhdonte të mos ishte as lindje dhe as perëndim, një apati dhe një mos reagim përveç veprimeve spontane që ndodhën në Shkodër, në Kavajë, në Kuçovë por që nuk rezultuan të organizuara. Pra, më tepër ishin veprime të grupeve të vogla.
Fakti që ju ishit shumë pranë studentëve, a kishit kuptuar diçka se çfarë po përgatisnin ata kundër diktaturës ?
Ajo që ndodhi në Qytetin Studenti ishte krejt e papritur, sidomos për intelektualët duke përfshirë edhe ata që ishin pedagogë në Universitet. Kam qenë pedagog në Universitetet, jepja lëndën e arkeologjisë, isha dhe drejtor i Institutit të Arkeologjisë. Kisha marrëdhënie shumë të gjera më studentët, në ekspedita, në leksione, në seminare, në udhëheqje diplomash por kurrë nuk kisha ndjerë se ç’po përgatitesh brenda tyre. Pra kishte ndarje mes studentëve, ne dhe intelektualëve dhe shpërthimi që ndodhi në Qytetin Studenti natyrisht që ishte një ngjarje e jashtëzakonshme. Si fillim, vetëm pak intelektualë u angazhuan direkt në punën për krijimin e partisë.
Cilat ishin arsyet që intelektualët ishin të paktë në fillimet e krijimit të PD-së?
Intelektualët, veçanërisht ata që kishin pasur një lloj kontestimi ndaj pushtetit, qëndronin larg partive politike. Marrja pjesë në një parti politike, për intelektualin ishte një lloj komprometimi i pavarësisë së tyre të cilën ata e kishin ruajtur edhe ndaj PPSH-së. Megjithatë krijimi i PD-së ishte pikërisht vepër e këtij bashkimi të disa intelektualëve si Berisha, Demeti, Imami, Pashko etj, të cilët vinin nga katedra universitare dhe pjesës së studentëve më të pjekur, më aktiv, përfaqësues i të cilëve ishte Azem Hajdari. Kjo ishte bërthama e cila u krijua në godinën 15 dhe mbeti aktive midis kësaj godine dhe bodrumit të shtëpisë së Gramoz Pashkos ku u bë e gjithë puna për përpunimin e programit dhe statutit të PD-së ku një rol të rëndësishëm luajti edhe Leka Meksi i cili edhe ai vinte nga Instituti i Arkeologjisë. Po aty ishte shumë aktiv edhe Genc Pollo që ishte anëtar i këtij Instituti, ishte dhe asistenti im aty. Kështu që edhe angazhimi im i parë ka qenë për ta mbështetur këtë grup me të cilët kisha kontakte të hershme me ta.
Kush ishte ato ditë lidhja me studentët?
Ai që më lidhte direkt me ta ishte Leka Meksi, ishte direkt anëtar i kryesisë së partisë që u krijua, që u quajt Komisioni Nismëtar edhe veçanërisht nga Genc Pollo. Madje mund të them se statuti dhe programi i PD-së janë shtypur në Institutin Arkeologjik dhe Genc Pollo ka ardhur në shtëpinë time, diku nga data 10 dhjetor dhe i kam dhënë çelësin e zyrës që mbaja unë për të marrë printerin. Kishin kompjuter por nuk kishin printer për ta shtypur. Në atë kohë gruaja ime i ofroi Genc Pollos një pjatë me fasule, ajo ishte pjata e përhershme e tavolinave tona. Genci më tha me të qeshur: Po më duket vetja si ilegalët e kohës së partisë komuniste në 41 që i prisnin familjet tiranase të cilat u ofronin nga një pjatë grosh në darkë. Kështu që ai mori çelësin e zyrës sime, mori printerin dhe shkoi tek shtëpia e Pashkos, shtypën programin dhe e kthyen prapë printerin në orët e para të mëngjesit pasi duhet të kujtoj se diktatura ishte sërish në pushtet. Po kështu në bodrumin e Institutit Arkeologjik kishim një shaptilograf ku ndihmësi im, Pëllumbi shtypi traktet e para të PD-së.
Sa e vështirë ishte shpërndarja e trakteve të para?
Shpërndarja e trakteve ishte shumë e lehtë pasi çoheshin në Qytetin Studenti dhe aty u mblodh e gjithë Tirana. Të mos harrojmë që kemi dy mitingje të mëdha që u bën menjëherë. I pari u bë fill pas shpalljes së krijimit të PD-së dhe mitingu i dytë është bërë nga data 18 dhjetor ku unë kam folur në emër të intelektualëve të Tiranës. Dola në tribunë dhe ajo ka qenë nata e pardesyve të bardha sepse të gjithë ne aty kishim veshur pardesy me ngjyrën e bardhë.
Çfarë simbolizonin “pardesytë e bardha”?
Nuk e di për çfarë rastësie por ndoshta edhe ngaqë mbajtja e ngjyrës së bardhë ishte një lloj kontestimi ndaj të zezës dhe grisë që mbanin sigurimsat e shtetit. Ne u quajtëm pardesytë e bardha. Po të shikoni fotografitë e asaj nate të gjithë ne ishim të veshur me pardesy të bardha. Nuk ishim të organizuar por e rastësishme dhe tregonte një lloj psikologjie që ata që ishin me pushtetin visheshin me të errëta ndërsa ne ishim kundër pushtetit dhe visheshim me të bardha. Kjo ishte një gjë krejt spontane. Natyrisht që ka qenë një çlirim nga frika, një miting kaq i madh si në të parin ashtu dhe në mitingun e dytë, sidomos në këtë të fundit që besoj se kanë qenë mbi 30 mijë-40 mijë veta, pra ishte e gjithë Tirana në shesh. Aty tregohej qartë se u vra frika, pastaj menjëherë pas kësaj u krijua komisioni elektoral.
Cili ishte roli i Sali Berishës?
Ka pasur një rol të veçantë Sali Berisha në përgatitjen e ngjarjeve të ardhshme sepse ishin caktuar zgjedhjet formale me datën 10 shkurt që ishin zgjedhjet për në Kuvendin Popullor. Që të gjitha ishin të paracaktuara me lista të Frontit Demokratik. Formalisht vendi ishte demokratik, shkoje e votoje, kishte dhoma të fshehta në të cilat nuk hynte askush dhe votimi bëhej mbi tavolinë. Shënohej +, ishte “po”, “jo” por gjithmonë shënohej po dhe ishin të rrallë ata që guxonin të vinin shenjën tek “jo”. Dhe më kujtohet që në një palë zgjedhjesh, një kohë kanë qenë 37 vetë në të gjithë Shqipërinë. Gjithmonë fitonte lista e Fronit Demokratik me 99.9 për qind, kështu që njerëzit dinin si votohej por votimi deri në atë kohë kishte qenë antidemokratik. Kështu që PD-ja për herë të parë donte të hynte në zgjedhjet e 10 shkurtit të vitit 1991 ndaj u krijua një komision elektoral i cili përzgjidhte të gjithë deputetët në të gjithë vendin. Në atë kohë ishin 240 deputetë. Unë kam qenë pjesëtar i atij komisioni të cilin e drejtonte Arben Imami, por e ndiqte nga afër gjatë gjithë kohës Sali Berisha. Ishim në kontakt të vazhdueshëm me të dhe aty kanë qenë kontaktet e para me të.
E njihnit më përpara z.Berisha?
E kam njohur më parë. Të dy shkonim në Bibliotekën Kombëtare. Aty jemi takuar dhe jemi njohur më shumë. Në Bibliotekë vinin pak intelektualë dhe Berisha ishte një lexues i rregullt. Por edhe më pas ai ka kuruar vjehrrin tim Skënder Luarasi. Kështu që isha takuar disa herë përpara por ishte hera e parë që vendosëm marrëdhëniet së bashku siç para edhe me drejtues të tjerë, Demetin, Imamin, që ishin njerëzit më aktivë në organizimin e këtij komisionit d he të PD-së. Në atë kohë mua mu caktua si detyrë që të gjejë deputetë dhe për organizimin e partisë në disa rrethe si në Elbasan, Fier, por edhe në Sarandë. Dua të them se krijimi i partisë ka qenë shumë spontan në fillim në të gjithë vendin. Por me vendosjen e lidhjeve midis grupeve që ishin krijuar dhe qendrës, natyrisht nuk ishte e lehtë. Selia e PD-së u vendos tek rruga “Fortuzi” dhe më pas tek rruga e “Kavajës” ku sot është “Zoja e Këshillit të Mirë”.
I gjithë ky proces a hasi në reaksion me sigurimin e shtetit?
Sigurisht, madje ishte një proces shumë i vështirë i organeve të policisë që ishin të politizuara, e PPSH-së që bënte çmos t’i trembte njerëzit, t’i largonte nga PD-ja, nga propaganda shumë e egër e “Zërit të Popullit” përmes shpifjeve dhe me një terror verbal, madje kemi pasur edhe goditje fizike në disa rrethe të vendit që goditeshin nga policia dhe militantët e PPSH-së.
Kjo ishte arsyeja që u shtynë zgjedhjet?
Nuk kishte rrugë tjetër. Nuk mund të bëheshin zgjedhje në atë situatë të vështirë. U diskutua gjatë për mënyrën e votimit, për mazhoritar apo proporcional dhe ne patëm iluzionin se do ta kishim shumë kollaj me mazhoritarin dhe u vendos për atë sistem që ishte ai i PPSH-së. Kështu që zgjedhjet u shtynë për datën 31 mars. Ndërkohë u krijua edhe Partia Republikane nga z.Sabri Godo, u futën dhe listat e Fronit dhe kështu me radhë por sidoqoftë zgjedhjet e 31 marsit dukeshin shumë larg. Ne kaluam periudha shumë të vështira veçanërisht në shkurt të vitit 91. Ishte greva e studentëve për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti. Më pas u shoqërua me rrëzimin e statujës së tij në sheshin e Tiranës me 20 shkurt. Por një ditë pas ndodhi një ngjarje shumë e hidhur, revolta ose kryengritja e shkollës ushtarake, “Skenderbegasit” ku unë pata një rol spontan fillimisht ku dola për të mënjanuar ndeshjen mes policisë dhe demonstruesve që ishin mbledhur tek Ura e Lanës. Atë ditë, pra me 21 shkurt u hap lajmi se ishte bërë një komplot për të rrëzuar Ramiz Alinë, Nexhmije Hoxhës, Sulo Gradecin, që në atë kohë ishte një kurth. Kjo krijoi një dyndje të njerëzve tek Ura e Lanës dhe pati një përpjekje për tu futur në bllok ndërkohë që në bllok nuk kishte njeri pasi bllokmenët ishin larguar që aty dhe kishin ikur në Dajt.
Si u bë e mundur shmangia e hyrjes së turmës në bllok?
Unë ktheva turmën me mendimin se një përplasje dhe vrasja e njerëzve që kërkonin ndryshim nga Garda, nga ushtria dhe policia që ishin ende në duart e diktaturës do të shkaktonte një luftë civile. Njerëzit ishin të paqartë në ato momente dhe kur panë se vinte një përfaqësues i PD-së që kishte vetëm 3 muaj që ishte krijuar, ky autoritet ndikonte menjëherë tek ta. Thirrja që u drejtova se ne nuk duam ta marrim pushtetin me gjak, por me një copë letër përmes votës së lirë, duket se i bindi. Por ata kishin urrejtje edhe për Muzeun e diktatorit, donin ta zhduknin madje nxorën parullën “Piramidën ta bëjmë diskotekë”. Çova dy persona që ishin aty, dy përfaqësues të PD-së, Bashkim Salën dhe Agron Cipën. Për ta vërtetuar për atë që bëhej fjalë, për grusht shteti, nëse ishte Ramiz Alia në detyrën apo jo në zyrën e tij, çova njerëzit tanë atje gjë që nuk ishte e vërtetë. Ato çaste e kam kthyer tre herë turmën mbrapsht, një herë në shesh, u grumbulluan sërish, i ktheva dhe një herë tjetër dhe pastaj për herën e tretë i shpërndava një pjesë relativisht të vogël.
Si u kundërpërgjigj shteti ndaj rrëzimit të bustit të diktatorit?
Të nesërmen ndodhi edhe ngjarja e shkollës së Bashkuar, me 22 shkurt. Kam shkuar atje bashkë me Agron Cipën dhe me Abdi Baletën që erdhi nga Forumi i Helsinkit, ishte përfaqësues i tij sepse në mbledhjen që do të bëhej në shkollën e bashkuar ishte kërkuar që të shkonin përfaqësues të Pd-së dhe anëtarë të organizatave të tjera. Rrugës jam takuar me z.Baleta meqenëse emri i tij ishte në listën e komisionit dhe në shkollë dëgjuam ulërima edhe të nxënësve të dogmantizuar, këndonin këngën e Enver Hoxhës. Përveç përveç shkollës së bashkuar ishte edhe shkolla e nënoficerëve të Zall Herrit, ku ishin fëmijët e sekretarëve të fshatrave, kooperativave, ishte mbledhur dhe brigada e I-rë e cila kishte për detyrë mbrojtjen e Tiranës. Pra, ishte një bërthamë e regjimit, prej 2000 njerëzve të armatosur që ishin me të vërtetë të rrezikshëm për një grusht tjetër shteti. Në mbledhjen që u bë atje, ashtu siç kisha marrë porosi nga komisioni nismëtar që në atë kohë ishte kthyer në kryesinë e PD-së, i kërcënova se do të shkoni të gjithë në gjyq si puçista sepse ishte me të vërtetë një puç ushtarak. U kërkova që të shpërndaheshin forcat menjëherë, të kthehen nëpër reparte dhe t’i binden ligjit ndryshe të gjithë do të dalin para gjyqit ushtarak. Ky ishte mesazh i ardhur nga PD-ja dhe ata me të vërtetë që do të përballeshin me forcën e të ardhmes dhe kjo ndikoi në mënyrë të jashtëzakonshme.
Çfarë ndodhi më pas, si reaguan qytetarët e Tiranës?
Populli i rrethoi që atë natë pasi donin të çonin statujën e diktatorit nga shkolla e bashkuar në sheshin qendror, i cili do të ishte një provokim i rëndë. Qytetarët e shumtë që kishin rrethuar godinën të nesërmes që në mëngjes prenë pemët dhe bllokuan mjetet që të mos lëviznin rrugës. Madje pati një shpërthim dinamiti që u vu pranë murit të ndërtesës, pati disa të shtëna nga brenda që shkaktuan dhe viktima. Natyrisht që televizioni e pasqyronte këtë duke krijuar një tension akoma më të madh, pasi TVSH ishte në krahun e diktaturës por ata i vunë gishtin kokës se po hynin thellë e më thellë në rrugën e krimit. Kështu atje u dërgua Azem Hajdari, Aleksandër Meksi etj, dhe bënë një miting tek shkolla “Bajram Curri”, nga ku u kërkuan qytetarëve që të mbanin qetësinë, me qëllim që mos të hapej një vatër tjetër e luftës civile. Në një situatë të tillë, ata pranuan kushtet e vëna nga PD-ja, që të mbledhin armët, të shpërndajnë ushtarakët nga territori, kështu që dhe kjo vatër ra.
Ndërkohë, ishte bërë një organizim i PD-së, pasi më 11 shkurt është mbledhur Këshilli Kombëtar i saj. Çfarë ndodhi në atë mbledhje që do të zgjidhte kryetarin e ri të PD-së?
Po, me krijimin e Këshillit Kombëtar të PD-së u bë një organizim i PD-së. Në atë mbledhje unë u zgjodha anëtar i këtij forumi, ishte momenti kur u formalizova në strukturat e partisë. Deri në atë kohë isha vetëm një anëtar i thjeshtë i PD-së pavarësisht nga funksionet që kisha luajtur në organizimin e saj dhe të listës elektorale. Nga Këshilli Kombëtar doli kryesia e re dhe aty pati një moment diskutimi për kreun e ri të PD-së. Deri një ditë përpara kishte qenë kryetar i partisë z.Azem Hajdari i zgjedhur që në krijimin e saj dhe të nesërmen me datën 12 shkurt, anëtarët e këtij këshilli sipas statutit të PD-së duhej të zgjidhnin edhe kryetarin. Kryetari nuk zgjidhej nga Këshilli Kombëtar por nga komisioni nismëtar që tani quhej kryesi e PD-së.
Sa kandidatura konkurronin për postin e kryetarit të PDSH-së?
Ka pasur 4 kandidatura. Ka qenë Gramoz Pashko, Aleksandër Meksi, Sali Berisha dhe Azem Hajdari. U bë votimi i parë dhe u votuan dy, konkretisht Berisha dhe Pashko. Pastaj u votua sërish nga ku fitoi Berisha, duke u bërë kështu kryetar i ri i PDSH-së.
Kush e mbështeti Berishën dhe kush ishte kundër tij në atë votim të kryesisë së re të PD-së?
Unë kam qenë një nga mbështetësit e tij. Po ashtu edhe Prec Zogaj. E kemi votuar që të dy. Madje kur u bë votimi dytë unë u thashë në mbledhje: Ne kot po votojmë pasi gjithë shqiptarët e dinë që do të jetë Berisha kryetar partie. Tashmë ai kishte fituar një popullaritet në mbarë vendin që nuk e gëzonte askush sa ai. Kishte karizmën e autoritetin që e bënte atë lider.
Ka pasur debate në atë mbledhje?
Ka pasur diskutime. Votimi është bërë në mënyrën më normale. Nuk ka pasur debate veçse në mbledhjen e Këshillit Kombëtar është mbajtur një fjalim nga Abdi Baleta i cili nuk ishte anëtar i këtij forumi sepse vazhdonte të ishte përfaqësues i Komitetit të Helsinkit. Në atë mbledhje Baleta tha: Ajo që është bërë një natë më parë, (ishte mbledhur komisioni nismëtar dhe ishte rrëzuar Azem Hajdari, në vend të tij ishte bërë Aleksandër Meksi kryetar i këtij komisioni) është si një puç.
Ne e quajtëm nul atë rezultat. Nuk e quajtëm që Meksi ishte bërë kryetar pasi nuk kishte vlerë nisur nga fakti se do të dilte një komision i ri përmes një votimi. Këtë Baleta e konsideroi si një lloj puçi madje bëri një paralele midis Avni Rustemit dhe Fan Nolit. Pra sipas Baletës largimi i Avni Rustemit mund të sjellë pasoja dramatike për vendin e për vet demokracinë. Në fakt kjo nuk u vërtetua dhe PD-ja eci në rrugë normale deri në Kuvendin e saj në shtator të 91-it.
Kush votoi kundër Berishës për kryetar të PDSH-së ?
Unë nuk e kam analizuar në këtë aspekt. Unë kisha më mik Pashkon sesa Berishën për të thënë të vërtetën dhe e ndjeja veten më afër Pashkos, si natyrë, si miqësi e si marrëdhënie por e dija që çështja nuk ishte për të mbështetur një mik apo një person tjetër. Çështja ishte se kush mund ta drejtonte në atë moment lëvizjen. Pashko kishte cilësi por nuk kishte karizmën që kishte Berisha dhe nuhatjen për të zgjidhur çështjet e çastit. Pastaj Pashko ne na futi në disa telashe në atë kohë, kështu që nuk mund të zgjidhej ai.
Në çfarë telashesh e kishte futur Gramoz Pashko PD-në?
Me mënyrën shumë intelektuale që bënte Pashko, për shembull rasti “ceku i bardhë” nëse ju kujtohet pasi ai krijoi iluzionin se Shqipërinë do ta mbulonin paratë që do të vinin nga jashtë, gjë që nuk ishte e vërtetë. Apo rasti kur tha: Ekonomia në nivelin zero. Që çdo gjë që kishim nuk vlente dhe çdo gjë duhej bërë nga fillimi. Këto ishte teori të librave ekonomik që kishte lexuar Pashko, që vinin nga kultura e tij por në fakt koha nuk po i vërtetonte pasi ne duhej të ruanin çdo grimcë të pasurisë që ishte grumbulluar. Apo një tjetër rast ishte problemi çam, që na vuri në marrëdhënie të vështira me komunitetin çam që ishte një rezervë e madhe e PD-së. Pashko tha: Nuk ka problem çam”. Kjo deklaratë e tij solli një reagim të fortë nga komuniteti çam sidomos në Vlorë dhe në Fier ku ishin pjesë e rëndësishme e PD-së.
Gabimet e Pashkos, favorizuan zgjedhjen e Berishës?
Jo. Berisha ishte më shumë konkret dhe më karizmatik. Kjo bëri që unë të mbështes Berishën në momentin e votimit dhe për këtë nuk kam bërë penduar për këtë, pavarësisht se si rrodhën ngjarjet dhe si u zhvilluan konfliktet brenda PD-së kur ajo erdhi në pushtet. Ngjarjet rrodhën pasi PD-ja u bë pjesë e pushtetit në maj të vitit 1991 pas zgjedhjeve të 31 marsit.

(vijon numrin e neserm) Lidhje te tjera Ceka: Ju rrëfej '97, nuk kam hipur kurrë mbi tank

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›