E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derkowitch: Shqipëria, ka bërë progres të jashtëzakonshëm

Ambasadori i Austrisë në vendit tonë, Klaus Derkowitsch, theksoi të enjten, gjatë një takimi me Kryeministrin Berisha, me rastin e përfundimit të misionit të tij diplomatik në Tiranë, se Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm në shumë fusha. Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur se Kryeministri Berisha e vlerësoi plotësisht të suksesshme punën e Ambasadorit austriak gjatë misionit të tij diplomatik në Shqipëri dhe u shpreh se z. Derkowitsch largohet nga vendi ynë si një mik i madh dhe i shquar i kombit shqiptar dhe i Shqipërisë. Nga ana e tij, ambasadori austriak Derkowitsch e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për fjalët e ngrohta dhe mikpritjen dhe e uroi për fitoren në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Duke iu bashkuar fjalës së Kryeministrit Berisha se largohet si një mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, Ambasadori Derkowitsch u shpreh se gjatë kësaj periudhe të misionit të tij diplomatik në vendin tonë, ai ka ndjerë, si në asnjë vend tjetër, afrimitetin, ngrohtësinë dhe miqësinë e shqiptarëve, si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që i është ofruar nga institucionet shqiptare. Kryeministri Berisha e falënderoi me mirënjohje të thellë Ambasadorin e Austrisë në Tiranë, z. Derkowitsch, për kontributin e tij personal dhe të vendit të tij në konsolidimin e këtyre marrëdhënieve.
Në takim u vlerësua fakti se gjatë misionit të Ambasadorit Derkowitsch në Tiranë, marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe lidhjet e ngushta tradicionale e historike që ekzistojnë mes dy vendeve dhe popujve, janë konsoliduar dhe zgjeruar edhe më tej, si dhe është rritur ndjeshëm bashkëpunimi ekonomik dhe në veçanti investimet, asistenca dhe ndihma austriake për Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›