E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Çela: Qasje strategjike gjithëpërfshirëse ndaj korrupsionit, përgjigjja ndaj fenomenit të jetë e organizuar dhe kohezive

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela deklaroi sot se, lufta ndaj korrupsionit nuk mund të shihet si një përgjegjësi e kufizuar vetëm tek disa agjenci ligjzbatuese.

Në fjalën e tij, në mbledhjen e Komisionit të Monitorimit të Këshillit të Evropës, e cila për herë të parë zhvillohet në Tiranë, Çela tha se, korrupsioni prej vitesh përbën një shqetësim për shoqërinë dhe për shtetin shqiptar.

“Për vetë natyrën e tij komplekse, trajtimi i këtij fenomeni gërryes për qëndrueshmërinë sistemit demokratik dhe zhvillimin ekonomik të vendit kërkon një qasje shumëplanëshe që merr në konsideratë karakteristikat tipike të tij si dhe përmasat dhe natyrën e shtrirjes”, theksoi Çela.

Kryeprokurori u shpreh se, lufta ndaj korrupsionit nuk mund të shihet si një përgjegjësi e kufizuar vetëm tek disa agjenci ligjzbatuese, por si një angazhim i gjerë i të gjithë instrumenteve që disponon shoqëria dhe shteti përmes një bashkëveprimi dhe koordinimi masash në kuadër të një qasje strategjike gjithëpërfshirëse.

“Vetëm përmes këtij qëndrimi mund të arrihet që kontributi i sistemit të drejtësisë në këtë sfidë thelbësisht jetike për shoqërinë shqiptare të jetë efikas”, tha ai.

Ai nënvizoi se, këto masa kanë së pari, karakter ndërinstitucional me qëllim koordinimin dhe ndërveprimin e të gjithë aktorëve, duke përfshirë edhe sistemin e drejtësisë, në mënyrë që përgjigjja ndaj fenomenit të jetë e organizuar dhe kohezive.

Së dyti, shtoi Çela ”është vetë veprimtaria e institucioneve përgjegjëse për luftën ndaj korrupsionit që ndjekin politika dhe përdorin instrumente ligjore në harmoni edhe me kuadrin e përgjithshëm të kësaj lufte”.

Kryeprokurori shtoi se, lufta ndaj korrupsionit për vetë natyrën dhe format e përhapjes së tij, por edhe për shkak të organizimit të sistemit të prokurorisë merr një dimension, horizontal dhe një dimension vertikal.

“Në bazë gjejmë sistemin e prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm që heton dhe ndjek penalisht korrupsionin që mund ta quajmë të vogël, për shkak të ndarjes që bën ligji, për shkak të vlerës së tij, por edhe të subjekteve që e kryejnë atë, por që ka një shtrirje horizontale mjaft të gjerë dhe pret në mënyrë transversale shumë segmente të administratës dhe të shoqërisë. Ndërkohë që në dimensionin vertikal, që i përgjigjet si vlerave, po ashtu edhe rëndësisë së subjekteve të përfshira, goditja e tij realizohet nga Prokuroria e Posaçme”, tha Çela.

Ai shtoi se, ndërveprimi dhe koordinimi mes tyre në trajtën e dy enëve komunikuese siguron një përgjigje institucionale kohezive dhe gjithëpërfshirëse në tërësinë e shtrirjes së fenomenit.

Kryeprokurori Çela më tej u shpreh se, veprat penale në fushën e korrupsionit janë një nga grup veprat penale prioritare, të përfshira në rekomandimet vjetore të Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit që i përcillen Prokurorit të Përgjithshëm, me qëllim unifikimin dhe përmirësimin e masave institucionale në prokuroritë me Juridiksion të Përgjithshëm.

“Në planin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme për zbatimin e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave të vitit 2024, lufta kundër korrupsionit është konsideruar si një nga drejtimet kryesore të këtij plani, duke përcaktuar masat konkrete lidhur me rritjen e numrit dhe cilësisë së hetimeve të plota dhe të gjithanshme për veprat penale në fushën e korrupsionit nëpërmjet hetimeve proaktive, duke përdorur metodat speciale të hetimit për aq sa e lejon legjislacioni për grup-veprat e korrupsionit”, tha Çela.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›