E Diel, 1 Nëntor 2026

Celet Kampionati i vrapimit në mal, Berisha: Ngjarje e madhe për turizmin malor

TIRANE- Është celur sot Kampionati i 27-të Botëror i Vrapimit në Mal. Vetë kryeministri Berisha, i cili mbajti dhe fjalimin e hapjes, përshëndeti përfaqësuesit e 32 vendeve pjesëmarrëse në këtë aktivitet si dhe falenderoi për përzgjedhjen e Tiranës si kryeqyteti botëror i vrapit në mal "një ngjarje e madhe për sportin dhe turizmin malor shqiptar.” 

Kryeministri shprehu besimin se organizimi i këtij kampionati do të shërbejë "si nxitje për tërheqjen e turistëve të huaj në vendin tonë."

Kreu i qeverisë vuri në dukje se ky kampionat, zhvillohet në një vend, i cili, qëndron në krye të Europës për lartësinë e tij mesatare të maleve.
"Shqipëria, në njësi sipërfaqeje ka malet më të shumta, të cilat në kreshtat, ujvarat, luginat dhe pyjet e tyre, fshehin bukuritë më mahnitëse të këtij kontinenti dhe pasuritë malore më të mëdha. Malet janë të uritura me vizitorë si ju që mezipresin t’ ju tregojnë bukuritë e tyre më mahnitëse”- nënvizoi kryeministri.

Duke i uruar suksese zhvillimit të këtij aktiviteti në Tiranë, Berisha shprehu besimin që "ky kampionat të frymëzojë të rinjtë shqiptarë, për të njohur më nga afër pasuritë e mëdha dhe për të shfrytëzuar këtë potencial të jashtëzakonshëm të vendit, në interesin më të mirë të formimit të tyre fizik dhe psikologjik".
Sipas tij, asgjë nuk është më frymëzuese dhe kalitëse se vrapi dhe ecja në mal.

"Çdo vit, numri i vizitorëve dhe turistëve që vijnë në malet tona po rritet dhe unë shpresoj sqë ky kampionat të shërbeje si një ftesë për turistët nga mbarë bota dhe nga vendet tuaja, për të ardhur dhe njohur këto male", nënvizoi kryeministri Berisha.

Më pas, presidenti i Federatës Botëror të Vrapimit në mal, Bruno Gozzelino, i dorëzoi kryeministrit Sali Berisha Medaljen e Arit si "Vrapuesi më i mirë"
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›