Celibashi shpall rezultatin në pesë bashkitë: Brenda vitit 2026 të kemi një ligj të ri zgjedhor

TIRANË, 10 nëntor /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi shpalli sot rezultatet paraprake të zgjedhjeve të pjesshme vendore në pesë bashki të vendit.
Celibashi u shpreh në një konferencë për shtyp se, në bashkinë e Vlorës Brunilda Mersini, kandidate e PS, ka marrë 15 672 vota ose 78,44% të votave. Kandidati i propozuar nga zgjedhësit, Dionis Sota, ka marrë 2333 vota ose 11,68%. Kandidati tjetër i propozuar nga zgjedhësit, Gjergji Nika, ka marrë 1975 vota ose 9,88%.
Në bashkinë Berat, kandidati i PS, Ervin Ceca ka marrë 13 050 vota ose 83,35%. Pavlo Shkarpa, kandidat i propozuar nga zgjedhësit, ka marrë 2607 vota ose 16,65%.
Për bashkinë e Cërrikut, Eligert Hima, kandidat i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, ka marrë 1275 vota ose 13,62%. Amarildo Hoxha, kandidat i propozuar nga zgjedhësit, ka marrë 1888 vota ose 20,16%. Florenc Doka, kandidat i PS, ka marrë 6201 vota ose 66,22%.
Në bashkinë e Matit, Altin Bojni, kandidat i PS, ka marrë 7425 vota ose 66,54%. Eduart Brahilika, kandidat i propozuar nga zgjedhësit, ka marrë 3184 vota ose 28,54%. Suzana Pasha, kandidate e propozuar nga zgjedhësit, ka marrë 549 vota ose 4,92%.
Për bashkinë e Tepelenës, Gabriel Guma, kandidat i propozuar nga zgjedhësit, ka 928 vota ose 22,15%. Gramos Sako, kandidat i PS, ka marrë 3261 vota ose 77,85%.
Në lidhje me pjesëmarrjen, Celibashi u shpreh se në total pjesëmarrja për të pesta bashkitë ka qenë 18,45%.
“Për bashkinë e Vlorës 12,54%, për Beratin 19,81%. për Cërrikun 24,81%, për bashkinë e Matit 39,23% dhe për bashkinë e Tepelenës 34,63%”, tha ai.
Sa i përket pjesëmarrjes, Celibashi u shpreh se nuk është domosdoshmëri që të ketë një kufi të pjesëmarrjes për t’i konsideruar zgjedhjet të vlefshme dhe se kryetarët e zgjedhur kanë legjitimitet të plotë.
I pyetur për shpejtësinë e rezultati të numërimit, Celibashi tha se për sa kohë që do të jetë kjo mënyrë numërimi, kjo do të jetë edhe koha e nxjerrjes së rezultatit.
Ai theksoi se kjo është çështje e partive politike dhe e Kuvendit.
“Ne i kemi përcjellë mendimet dhe propozimet tona në lidhje me këtë aspekt të procesit zgjedhor, mbetet në dorë të tyre për ta vlerësuar”, tha ai.
Celibashi u shpreh se shpreson që partitë politike të nisin shpejt punën për reformën zgjedhore, që të përfundojë sa më shpejt.
“Brenda vitit 2026 do të ishte mirë që të kishim një ligj të ri zgjedhor. Nëse nuk do ta kemi një ligj të ri zgjedhor ne do të shkojmë në zgjedhjet vendore të vitit 2027 në një situatë siç kemi shkuar në këto 30 vite të shkuara”, tha Celibashi.
/gj.m/r.e/a.f/