E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çelja e negociatave, Rama: Shqipëria konsiderohet surprizë, administrata shumë e përgatitur

Shqipëria konsiderohet një surprizë në procesin “screening” me Bashkimin Europian dhe kjo falë punës së ekipit negociator të përfshirë në këtë proces, sipas kryeministrit Edi Rama.

Në podkastin e përjavshëm “Flasim”, të ftuarit e kryeministrit ishin katër të rinj të kthyer nga jashtë vendit, që tani mbajnë poste të larta drejtuese në qeveri: Florian Semani, zv.ministër i Financave, i kthyer nga SHBA ku punonte si ekspert taksash; Blerina Abrazhda, zv.ministre e Mbrojtjes, e kthyer pas 25 vitesh studime e pune në Itali, SHBA, Lindjen e Mesme; Andi Memeti, zv.ministër i Financave, i kthyer nga Londra pas mbi 20 vitesh studime e pune në industrinë bankare; dhe Erinda Aliaj, e kthyer nga SHBA, dhe që tani punon në në Kryeministri si eksperte e teknologjisë.

Ndërsa dëgjoi eksperiencat e tyre jashtë vendit dhe motivin që i ktheu në Shqipëri, Kryeministri Rama u ndal në aspektin e përgatitjes së administratës shqiptare.

“Pa diskutim që administrata ka hijet e veta, se është komplet e pandershme që ne ta fshehim këtë, por unë vetë personalisht kam pasur më shumë stres nga hijet e administratës. Kjo është përmbysur komplet, është bërë procesi ‘screening’, ku bëhet gjithë diagnoza e shtetit shqiptar. Janë 1 mijë vetë këtej dhe andej që ulen përballë njëri-tjetrit me 36 grupe dhe që i hyjnë deri në qelizë shtetit shqiptar,” tha z. Rama.

Kryeministri solli në vëmendje edhe vlerësimet që ka marrë nga krerët e shteteve të BE-së për ekipin shqiptar. 

“Kur filloi procesi kam qenë shumë në tension. Thosha: gjithë kjo luftë e përpjekje për të bindur dynjanë se ne nuk jemi ata që ata mendojnë, se nuk jemi gati. Papritur filloi një tjetër këngë, ekipi im më thoshte: po ecim mirë. Kryeministri i Holandës më tha se ‘po dëgjoj fjalë shumë të mira për ekipin shqiptar, mbresat në Bruksel janë shumë të forta’. Kryeministri i Danimarkës: ‘Çfarë ndodh me administratën tuaj? Kam parë këto të Ministrisë së Jashtme për pjesën e proceseve që duan të hyjnë dhe jeni on top’. Pastaj Kryeministri i Spanjës,” tha z. Rama.

Kur procesi hyri më thellë, kryeministri u shpreh se Shqipëria u cilësua “një surprizë” dhe  administrata “shumë e përgatitur”. /ATA

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›