E Diel, 1 Nëntor 2026

Celularët, nga janari mund të ndërrosh kompaninë, por jo kartën

14/10/2009  Kompanitë do të nisin zbatimin e praktikës së portabilitetit të numrave

Të gjitha kompanitë celulare prej janarit 2010 do të nisin të ofrojnë shërbimin e ndërrimit të kompanisë duke mbajtur të njëjtën kartë. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka shpallur të gjitha specifikimet teknike dhe rregullat apo limitet tarifore që do të lidhen me këtë shërbim. Sipas drejtuesve të AKEP-it, ndërtimi dhe zbatimi i strategjisë së portabilitetit të numrave do të jetë një nga zgjidhjet më të domosdoshme dhe më efikase në këtë treg. Në këtë mënyrë, Shqipëria do të arrijë një nga standardet që vendet perëndimore e kanë arritur shumë kohë më parë, që nënkupton se kartat SIM do të konsiderohen si “pronë publike”, ndërsa kompanitë celulare do të ofrojnë thjesht shërbimin dhe do të konkurrojnë vetëm nëpërmjet tarifave. Zbatimi i parimit të portabilitetit të numrave celularë në vendet ku është praktikuar ka dhënë efekte në rritjen e konkurrencës mes kompanive celulare. Tanimë ky parim konsiderohet si jetik për harmoninë e tregut të telefonisë së lëvizshme. Shërbimi i ndërrimit të kompanisë do të jetë kundrejt një pagese jo shumë të lartë, e cila do të jetë standarde dhe do të shpallet paraprakisht nga kompanitë duke e njoftuar klientin nëse aplikon për ndërrimin e këtij shërbimi. Arbitër i këtij procesi do të jetë AKEP-i, ndërsa kompanitë tashmë do të duhet të investojnë në teknologji shtesë për të siguruar aparaturat e posaçme që e mundësojnë këtë shërbim. Megjithatë, për kompanitë celulare do të ketë dy mundësi për ofrimin e këtij shërbimi, ku sipas rastit kompanitë do të zgjedhin njërën prej tyre medoemos. Në sektorin e telefonisë celulare janë lëshuar katër autorizime individuale që më parë quheshin licenca “AMC, sh.a”, “Vodafone Albania, sh.a”, “Eagle Mobile, sh.a”, “Mobile 4 Al sh.a”. Operatori “Mobile 4 Al” është operatori i katërt celular GSM, të cilit iu akordua autorizimi individual nga AKEP-ja më datë 26.06.2009.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›