E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përleshen grupe të rinjsh, 2 rëndë në spital

14/10/2009  Me thika e kaçavida, ngjarja në mesditë në lagjen nr. 4 të Durrësit

Dy 18-vjeçarë kanë rrahur dhe goditur një tjetër, plagos njërin prej tyre

DURRES- Sherret banale kanë degjeneruar në përdorimin e mjeteve të ftohta. Përplasjet mes një grupi të rinjsh ka pasur dy plagosje të rënda, pasi dy nga protagonistët e përleshjes kanë përfunduar në spital me plagë të rënda thikash e kaçavidash ne trup. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13 e 20 minuta, në lagjen nr 4 pranë shkollës "Bedrie Bebeziqi" të qytetit të Durrësit. Në këtë orë sipas të dhënave të policisë, 18-vjeçari Andi Hyseni, banues në lagjen nr 2, ka tentuar që të vrasë 19- vjeçarin Ramazan Grota. Për këtë ka pasur edhe ndihmën e një miku të vet, i cili pas ngjarjes është larguar nga vend ngjarja dhe polica po punon për identifikimin e tij. Ata i kanë dalë përpara dhe janë përleshur me të duke përdorur edhe armët e ftohta. Pala sulmuese ka qenë superiore në goditjet me thikë që ka dhënë ndaj kundërshtarit Grota, pasi ai ka marrë 5 goditje në zona të ndryshme të trupit. Ata janë përleshur dhe goditur, por edhe Grota si duket ka qenë i parapërgatitur rreth rrezikut që mund të kishte para pasi ai ishte i armatosur me një kaçavidë, të cilën e ka përdorur duke qëlluar ndaj kundërshtarëve. Në përleshje e sipër ai ka nxjerre kaçavidën dhe ka qëlluar Andrin duke i shkaktuar plagë të thella e të rrezikshme në kokë. Plagët janë vlerësuar si tepër rënduese për jetën e 18-vjeçarit nga personeli mjekësor që i ka dhënë ndihmën e parë dhe pas kësaj në gjendje shume të rëndë për jetën ai është transportuar për në Spitalin Ushtarak Tiranë, për t’i dhënë një ndihmë më të kualifikuar. Të dhënat e spitalit flasin për një gjendje shumë të rëndë të tij pasi gjendet në reanimacion.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›