Census dhe nonsens
Si rëndom tek ne, edhe censusi, një praktikë rutinë gjetiu, rrezikon të pështjellojë dhe fragmentizojë artificialisht një shoqëri që edhe pa të, boll ka halle të tjera. Ndonse presupozohet proçes konvergues, prania në të e pyetjeve jo të domosdoshme që provokojnë sensibilitete të caktuara, ngre natyrshëm vetulla për vullnetin dhe sinqeritetin e mazhorancës aktuale në respektimin e të drejtave kushtetuese që implikohen në këtë kontekst. Sikurse saga e zgjedhjeve dhe e votës së lirë, kufirit detar më fqinjin jugor, shpërpjestimet në buxhet, karshillëku ndaj shtetit ligjor me Gërdecin, 21 janarin apo rrugën e Kombit apo varrezat e ushtarëve grekë në jug edhe ky census, me disa pyetje të tipit litari përjashta, po provokon një debat tërësisht të evitueshëm që po merr kohë të vyer, energji dhe pasion për një shoqëri që po humb trenin e rradhës për në Europë. Trishtues mbetet fakti se edhe kur një mori problemesh sponzorizohen prej të tretëve, debati, deri në acarim ekstrem, nuk bëhet me ta por mes nesh, me të tretët si gjithnjë në pritje të nxjerrjes së gështenjave të rastit.
Boomerang dhe litar përjashta
Ndërkohë që parimet rreth të drejtave të individit tingëllojnë alibi për justifikimin e vetdeklarimit etnik dhe fetar, të drejtat e shoqërisë për kohezion, transparencë, bashkëjetesë korrekte, mosdiskriminim dhe respekt reciprok shpërfillen haptazi nga ata që janë zgjedhur për ti garantuar ato. Përtej domosdoshmërisë së të dhënave reale rreth minoritetit faktik, konvertimet artificiale, cënojnë jo vetëm interesin e shumicës por dhe të vetë pakicave (deri zhbërje të syresh si rrjedhojë e tjetërsimit mes vetë pakicave) sepse tashmë diskriminimi pozitiv nuk është më objektiv dhe etik por abuziv dhe segregues.
Sa e drejtë është të njihet dinamika e pakicave, po aq e drejtë është që të mos abuzohet dhe krijohen realitete subjektive nën presionin e faktorëve të tretë, abuzimit me transparencën nga ana e qeverisë apo konteksin që mbahet ai. Censusi, ndonse në thelb një fotografi orientuese, në rastin e pasqyrës etnike, përtej subjektivizmit, rrezikon të shndërrohet në litarin përjashta të shoqërisë në ecjen përpara me implikime në kohezionin e brëndshëm dhe vetë marrëdhëniet me fqinjët.
Alkimi etnike!
Vetdeklarimi e kompromenton objektivitetin dhe rrjedhimisht edhe dobishmërinë e të dhënës së përftuar.Dinamikën e pakicave në funksion të politikave të zhvillimit, përtej çdo dyshimi apo rezerve që vetdeklarimi bart, e mundëson si baza e të dhënave të gjëndjes civile ashtu dhe të dhënat jozyrtare prej organizatave të minoritetit, OJQ etj. Në një vënd me adresa të pasakta, ku ka mobilitet të madh të qytetarëve, ku konteksti ekonomik i tranzicionit intimidon qytetarin për mbijetesë apo ku aftësitë e mjetet e administratës janë larg standarteve perëndimore, rrumbullakosja e shifrave në rastin e pakicave etnike mund të shndërrohet në një statistikë që gjeneron më shumë andralla politike e sociale sesa përftime reale për politika efektive zhvillimi.
Shqipëria nuk ka vakuum statistikor rreth pakicave dhe ato nuk mund të paragjykohen nga konteksti politik përkatës (pre-monarki, monarki apo monizëm) sepse shteti shqiptar asnjëherë nuk ka paragjykuar minoritetet dhe nuk ka shfaqur prirje asimiluese ndaj tyre. Ndaj, nëse pretendohet se ka patur presione dje, përse të përjashtohet ai sotmi nga të tretë? Ndryshe nga besimi që mund të ndryshojë, etnia është përtej vullnetit tonë, ndaj të dhënat e kahershme të gjëndjes civile dhe arkivat përkatëse nuk lënë vënd për hamëndje sikurse vetë martesat e përzjera nuk presupozojnë zgjedhje etnie por thjesht multietni.
Diplomaci apo inferioritet?
Nëse pyetja rreth etnicitetit nuk garanton dobishmëri dhe nuk është detyruese për trajektoren e integrimit perëndimor, për më tepër që provokon një debat stresues në shoqëri, insistimi me të mbetet i pajustifikueshëm. Nëse ato reflektojnë presionin e fqinjit jugor ndaj qeverisë shqiptare, edhe sikur në emër të parimit dhe interesimit të sinqertë për fatin e pakicës, minimumi duhej të shoqërohej me reciprocitet insistim për përfshirje në censusin grek të popullsisë çame përtej kufirit, skedimit të arvanitasve dhe emigracionit shqiptar të stabilizuar si nënshtetas në Greqi. Ky reciprocitet prej kohësh mungon dhe toleranca e rradhës ndaj pretendimeve të të tretëve nuk perceptohet si etikë diplomatike apo input stabiliteti në rajon por inferioritet zhgënjues për seriozitetin e një vëndi të NATO, aspirant për në BE.
Mes dy zjarreve
Për shkak të kontekstit ekonomik, tranzicionit pambarim dhe perspektivës së munguar janë të shumtë ata që prej vitesh, jo pa dhimbje dhe trishtim kanë ndërruar artificialisht identitet për të mbijetuar dhe dhënë një shans vetvetes dhe familjeve. Me vetdeklarimin e etnicitetit, ky census i provokon ata në statukuonë e mbijetesës sepse ndaj tyre mund të ketë presione eventuale për deklarim dhe se çfardo përgjigje që të japin, do të konsiderohet e rreme për njërën palë apo tjetrën duke rrezikuar mes gjobës tonë dhe kërkimit llogari nga fqinji jugor për privilegje të përftuara mbi bazën e informacioneve të pavërteta. Nëse pretendohet se censusi mbetet anonim (gjë që varet nga prania ose jo e rregjistruesve në proçes), sikurse përvoja perëndimore dëshmon (plotësimi bëhet në kushte anonimati) atëhere paqartësia shtohet edhe rreth efektit të gjobës për të dhëna të rreme (gjobë ndaj anonimëve!).
E shkruara mbetet
Lëmshi ku ndodhemi nuk mund të zgjidhet vetvetiu thjesht dhe vetëm me shpërfilljen e rubrikës përkatëse në census sepse pavarësisht reagimit të shumicës, pakica dhe të konvertuarit do të evidentohen dhe tabulohen përkatësisht.
Përtej sensibiliteteve, thelbi mbetet objektiviteti i proçesit me të dhënat e deklaruara të konfrontuara me ato të gjëndjes civile, e cila ka nevojë për rishikim dhe saktësim pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth praktikës së deritanishme të gjyqësorit me konvertimin e etnisë.
Në plan më të gjërë, sfida mbetet unifikimi përballë çdo protagonizmi politik që i hap udhë intimidimit të vlerave kombëtare të harmonisë fetare dhe etnike në vënd, sikurse përpjekja për të ndërtuar marrëdhënie të frytshme dhe dinjitoze me fqinjin jugor me të cilin, përtej historisë dhe gjeografisë, na lidhin aq shumë ura gjaku dhe fate njerëzore të përbashkëta sa të thuash popuj miq, ke thënë pak.
