E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imazhi i Kosovës në Grykën e Valbonës

Nga Enver Robelli

Të harxhosh para kot së koti: si po e shkatërrojnë imazhin e Kosovës vetë anëtarët e kabinetit qeveritar me vizita të panevojshme, me takime sa për sy e faqe dhe nganjëherë edhe me gënjeshtra

Vërtet ishte bukur në Grykën e Valbonës. Natyrë impozante, shkëmbinj që ti merrnin mendtë kur i shikoje, pellgje uji, gurë me sipërfaqe të lëmuar nga të reshurat e stinës së dimrit. Të shkosh nga Prishtina në Valbonë, në Shqipërinë veriore, të duhen nja 4 orë të mira. 25 kilometrat e fundit të rrugës janë më të mundimshmet pa asfalt dhe me shumë pluhur. Udhës për në Valbonë, mes tjerash, gjendet edhe një liqen i vogël, i quajtur Liqeni i Xhemës. Një tabelë e drurit mban mbishkrimin dygjuhësor dhe kreativ për nga bizariteti: Liqeni i Xhemës dhe nën të, në anglisht, James Lake. Kështu Xhema shndërrohet në James. Nuk mund ta dimë nëse ministrit të diasporës në Qeverinë e Kosovës i ka rënë në sy ky liqen, kur, sipas njoftimit zyrtar, më 21 gusht 2011, ai mori pjesë në konferencën ndërkombëtare Arratisja dhe emigrimi në hapësirën dhe mentalitetin mesjetar, e cila u mbajt në Grykën e Valbonës. Për fat të keq ministria e diasporës nuk ka njoftuar nëse ministri ka mbajtur ndonjë fjalim në këtë konferencë. Përgjegjësit për informim e kanë parë të mjaftueshme të japin vetëm një paralajmërim për konferencën e Valbonës. Kështu njoftimi ka një nënton humoristik. Të flasësh për arratisjen, emigrimin dhe mentalitetin mesjetar, të shkosh me çantëbartës, shoferë, truproje, këshilltarë, pra me një suitë të tërë, në Grykën e Valbonës, të harxhosh kot së koti para nga buxheti a nuk është kjo një fyerje për publikun? Sipas programit të konferencës pjesëmarrësit i kishte argëtuar lahutari Isë Elezi.

Hajt pak te Berisha

Papërgjegjësia vazhdon: i njëjti ministër shkon për vizitë zyrtare në Tiranë, takon kryeministrin e vendit, i cili për tu paraqitur si padron i krejt shqiptarëve në Ballkan spërton të takojë madje edhe drejtorë të fermave të pulave nga Kosova. Kuptohet se të dy udhëtimet e kota taksapaguesve kosovarë u kanë kushtuar disa mijëra euro. Çka kërkon ministri i diasporës së Kosovës në Shqipëri? Mos është Shqipëria diasporë e Kosovës apo anasjelltas? Është krijuar një mentalitet gati primitiv i vizitave të shpeshta në Tiranë sa për tu pozuar me kryeministrin, kryetarin e shtetit dhe me ndonjë tregtar flamujsh. Nuk do të ishte befasi e madhe nëse Sali Berisha para portave të kryeministrisë vendosë një tabelë me njoftimin: Kosovarët priten në audiencë për çdo ditë nga ora 09:00 deri në orën 21:00.

Pas Shqipërisë destinacion tjetër i pëlqyer i zyrtarëve të lartë të Kosovës është Turqia. Natyrisht edhe ministri i diasporës ka qëndruar këto ditë në këtë vend, ku mes tjerash bie në sy takimi i tij historik me kryetarin e Bashkisë Kuçukçekmeçe. Gjatë sorollatjes nëpër Turqi ministri edhe njëherë e falënderoi këtë shtet për të gjitha ndihmat dhe angazhimin politik për ndërtimin e shtetit të Kosovës, madje deklaroi se pas SHBA-ve Turqia zë vendin kryesor në angazhimin për krijimin e shtetit të Kosovës. Në këtë ranglistë të re të miqve të Kosovës, të shpikur me mendjelehtësi nga ministri i diasporës, vendet kryesore të Evropës perëndimore si Britania e Madhe, Franca, Gjermania nuk përmenden fare. Nëse kështu synohet të zhvillohet politikë konsistente proevropiane, atëherë Kosova i ka punët mirë. Nëse kështu, me deklarata shkel e shko, mendohet se ndreqet imazhi i Kosovës në botë, atëherë punët janë, në fakt, lule e dritë. Skandali nuk përfundon me këso lloj falënderimesh, por edhe me vlerësime nga ana e ministrit se diaspora kosovare në Turqi është e integruar mirë në jetën politike dhe sociale. E vërteta është se diaspora kosovare në Turqi nuk është e integruar, por është turqizuar dhe asimiluar. E udhës do ishte që ministri të kërkonte hapjen e shkollave shqipe në Turqi derisa ky vend në Kosovë organizon edhe iftare publike dhe synon që sulltanët e Perandorisë Osmane të na i prezantojë si çlirimtarë dhe jo si pushtues. Të mos flasim këtu për të gjitha të drejtat e garantuara për pakicën turke të Kosovës. Të mos flasim këtu më gjatë për presionin që u bëhet studentëve shqiptarë në Turqi që në zgjedhje në Kosovë të votojnë për partinë e minoritetit turk. Kur të mungon respekti për vetveten dhe shtetin tënd, mos prit që të tjerët do të respektojnë. Këtë e tregon edhe vizita e ministrit të diasporës në Turqi. Si dhe shumë vizita të tjera.

Aktivitete lotuese

Në këtë kuadër hyjnë edhe shëtitjet e mistershme të atij që ka qejf ti thotë vetes ish-kryetar i Kosovës, i cili shkon në Vjenë dhe takon një gazetar ordiner sudanez, por opinionit të Kosovës i thotë se e ka takuar një diplomat të këtij vendi afrikan. Ose kur mashtron opinionin se ka takuar një ministër të jashtëm të një shteti afrikan dhe shpejt merret vesh se e ka takuar një zyrtar tjetër, i cili ndoshta një ditë bëhet shef i diplomacisë. Sa qesharake është bërë puna e lobimit tregon edhe një njoftim i ardhur këto ditë nga zyra e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës. Njoftimi fillon kështu: Në kuadër të aktiviteteve lotuese në New York (…) zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës (…) ka takuar presidentin e Shri Lankës…. Nganjëherë zyrtarët e shtetit me fjalë të veta e tregojnë mjerimin e tyre, rrjedhimisht aktivitetet lobuese prezantohen si lotuese. Anëtarë të tjerë të kabinetit ngarendin po ashtu për tu takuar me ndonjë politikan të huaj sa për të sjellë një fotografi, të cilën opinionit publik ia prezantojnë si trofe lufte. E kësaj kategorie ishte edhe fotografia që dërgoi nga New Yorku Hashim Thaçi, ku shihej duke hapur bursën NASDAQ. Ky aktivitet u prezantua edhe si angazhim për joshjen e investitorëve të huaj. Sigurisht këso pozimesh mund të organizohen lehtë në krahasim me krijimin e një ambienti të favorshëm për investime. Më lehtë është të hapësh bursën në New York se sa të trajtosh problemin e ndotjes në Prishtinë. Vetëm termocentrali Kosova A hedh në atmosferë materie të dëmshme, të cilat i tejkalojnë normat evropiane për 70-fish! Një lajm i tillë në mediat perëndimore mjafton për ti larguar të gjithë investitorët potencialë. Ky është imazhi i Kosovës sot në botë: një vend i ndotur, jo vetëm nga termocentralet, por nga fenomenet më të këqija të transicionit. Ky imazh i keq nuk ndryshohet me vizita sa për sy e faqe në Stamboll, Ankara, Izmir, Tiranë apo Grykë të Valbonës. Ky imazh nuk ndryshohet as me fushatën qesharake për europianët e rinj, e cila kushtoi nja 6 milionë euro, por spati pothuaj asnjë efekt në përmirësimin e pasqyrës së keqe të Kosovës sidomos në Evropën perëndimore. Nuk mund të ndryshohet imazhi me posterë. Kjo është e njëjtë sikur tia prezantosh Europës Medën si këngëtar të operës. Përfundimisht imazhi i Kosovës nuk përmirësohet me pjesëmarrje nëpër konferenca në Grykë të Valbonës. Përndryshe, përveç ministrit të diasporës, në këtë takim të famshëm mori pjesë edhe ministri i arsimit në Qeverinë e Republikës së Kosovës. E vetëkuptueshme që edhe këtë shëtitje e kanë paguar taksapaguesit e varfër të Kosovës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›