E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i DASH: Shqipëria luftoi terrorizmin

Në fund të vitit fiskal 2010, qeveria administroi asetet e sekuestruara në vlerën e thuajse 7 milionë dollarëve dhe atyre të konfiskuara në vlerën e 851 mijë dollarëve

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi dje raportin vjetor mbi çështjen e terrorizmit. Në këtë dokument konstatohet se qeveria e Shqipërisë ka punuar për të forcuar legjislacionin duke ndërhyrë në Kodin Penal. “Janë ngrirë asete të dy personave dhe 13 fondacioneve dhe kompanive të cilat janë identifikuar në listën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si financues të terrorizmit. Gjithashtu, është miratuar ligji për konfiskimin e aseteve që dyshohet se kanë ardhur nga aktivitetet kriminale”, thuhet në këtë raport. Departamenti Amerikan i Shtetit thotë gjithashtu se policia kufitare e Shqipërisë në mënyrë konstante ka përmirësuar sigurinë në pikat e kalimit kufitar. Në raportin e Departamentit të Shtetit përmendet rasti i imamit Artan Kristo, i cili më 2002 bashkëpunoi me “Fondacionin Haramain” i lidhur me Al Kaedën. Në dhjetor të vitit 2010 ai u shpall fajtor nga gjykata e Durrësit dhe u dënua me pesë vjet burg, për nxitje publike të propagandës dhe akteve terroriste, në faqen e internetit Albselafi.net. Ai e apeloi vendimin, por ende sot ndodhet në qeli. Rasti i dytë i referohet një tjetër emri, Hamzeh Abu Rajan, i shpallur fajtor nga Shkalla e Parë e Gjykatës për Krime të Rënda, me akuzën e fshehjes së fondeve që do të përdoreshin për të financuar terrorizmin. Vendimi u apelua në Mars të 2010-s. Ekzekutimi i dënimit ka mbetur pezull në pritje të një seance tjetër gjyqësore. Nuk ka raste të reja të sekuestrimit apo konfiskimit të aseteve për vitin 2010 - thuhet në raport. Në fund të vitit fiskal 2010, qeveria administroi asetet e sekuestruara në vlerën e thuajse 7 milionë dollarëve dhe atyre të konfiskuara në vlerën 851 mijë dollarëve. Dokumenti flet edhe për ligjin që i është paraqitur Parlamentit, ende i pamiratuar, i cili i referohet konfiskimit civil të aseteve të krijuara përmes aktiviteteve kriminale. Projekt/ligji përmban: nene që i referohen akteve për qëllime terrorizmi, financimin e tij dhe pastrimin e parave. Ndërkohë, vlerësohet se qeveria shqiptare vazhdon të përmirësojë regjimin kundër-pastrimit të parave dhe financimit të anti-terrorizmit. Në Prillin e vitit 2011 rezultoi, thotë raporti, se Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në këtë drejtim, por duhen hapa të mëtejshëm, që ligjet e vendit të përmbushin standardet ndërkombëtare Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit, i publikuar më 18 gusht, vë në pah trendet e terrorizmit në vitin 2010. Raporti përfshin po ashtu një aneks statistikor, të përgatitur nga Qendra Kombëtare Kundër Terrorizmit. Statistikat flasin për 11 500 sulme terroriste, që kanë ndodhur në 72 vende gjatë 2010-ës e që kanë rezultuar me mbi 13 200 vdekje. Ndonëse numri i sulmeve është rritur për pothuajse 5 për qind nga viti paraprak, numri i viktimave ka rënë për të tretin vit radhazi, përkatësisht për 12 për qind nga 2009-ta. Për të dytin vit me radhë, numri më i madh i sulmeve ka ndodhur në Azinë Jugore dhe në Lindjen e Afërt. Në këto rajone kanë zënë vend mbi 75 për qind të sulmeve në botë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›