E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapsllëk politik - Rama i kthehet tezës “Hap kutitë ose largohu”

06-05-2012 / Gazeta 55

Me Gramoz Ruçin, ministrin e fundit të nomenklaturës, Edi Rama ka vendosur të konfirmojë statusin e tij në “kapsllëk politik”. Për shantazhin e presidentit nëpërmjet bllokimit të reformës zgjedhore, është zgjedhur e njëjta tezë, kushtetueshmërisht e rrëzuar që në 2010, ajo “hap kutitë ose largohu”

Duhet të dilte Gramoz Ruçi që kërcënimi i socialistëve për bllokimin e reformës zgjedhore të marrë trajtën e seriozitetit. Dy ditë më parë, Damian Gjiknuri, përfaqësuesi i PS-së pranë komisionit të reformës zgjedhore u bë lëmsh me argumentet juridike, duke mos i nxjerrë krye qëndrimit zyrtar të selisë rozë, lidhur me një nen të Kodit Zgjedhor. Por, për t’i dhënë tone reaksioni dhe destruktiviteti mendon ish ministri i fundit i diktaturës, Gramoz Ruçi i cili është betuar dhe stër-betuar për të çuar në fund amanetin e Enverit: bllokimin e integrimit evropian. PS s’është në gjendje të ushtrojë logjikën juridike dhe as të gjejë bazën ligjore në kërkesat e saj, pasi në thelb të tyre është tentativa e bllokimit dhe zvarritjes së reformës zgjedhore. Për çudinë e të gjithëve, ky fraksionizëm tryeze i opozitës vjen në momentin më të papërshtatshëm, vetëm 3 ditë pas vizitës së komisonerit Fyle në Tiranë, i cili u shpreh më qartë se kurrë se, reforma zgjedhore duhet të përfundojë brenda datës 15 maj, pasi tejkalimi i afateve rrezikon të cenojë konsensusin dhe të pështjellojë zgjedhjen e Presidentit. Ndërkohë opozita po shfrytëzon reformën zgjedhore për të përcjellë frymën e saj destruktive, duke kërkuar hapjen e çdo kutie votimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kjo s’është risi e sjelljes politike të PS, pasi për hapjen e kutive përdorën çdo instrument antiligjor nga djegia e gomave në rrugë, mosbindje civile, protesta, grevë urie dhe demonstrata të dhunshme. Kauza e “kutive” rikthehet edhe sot kur ligji elektoral po amendohet dhe detyrimisht në asnjë mënyrë nuk do lejohet “druri nëpër këmbë” i opozitës, të cilët në rastin më të mirë kanë si pikësynim vonesën e integrimit. Nga qyteti i Fierit, Gramoz Ruçi përcolli shantazhin e radhës të opozitës, përmes një kërkese permanente për hapjen e çdo kutie votimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, atëherë kur kjo parashikohet në ligj, në rastet kur ka prova. Gjithsesi shqetësimi i socialistëve nuk është thjesht e vetëm tek hapja e kutive, pasi kjo, për ta rezultoi një kauzë e dështuar, por vëmendja është përqendruar tek sajimi i vicklave bllokuese, në prag të zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Proceset janë zinxhirë reforma zgjedhore, zgjedhja e presidentit dhe kompletimi i 12 rekomandimeve të BE. Pikërisht as më shumë e as më pak, opozita ka nisur gjuetinë e shtrigave, duke dalë jashtë marrëveshjes së 14 nëntorit dhe rikthyer në identitetin e para 2 viteve kur bllokonte dhe vetëm bllokonte.     
Ekspertët: Pretendimet e PS për kutitë zvarrisin reformën/“Pretendimet e PS për kutitë e votimit zvarrisin reformën”. Ky është mendimi që ndajnë dy ish kryetarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume dhe Çlirim Gjata. Për juristin Gjata, artikulimet e Partisë Socialiste, në mbledhjen e fundit të komisionit të posaçëm, të cilat lidhen me rastet e hapjes së kutive të votimit, synojnë të bllokojnë procesin, pasi mekanizmat ligjorë parashohin rastet ankimore që çojnë në hapjen e materialeve zgjedhore në KQZ. Të njëjtin argument ligjor sjell dhe Kristaq Kume, i cili thotë se kutitë e votimit mund të hapen vetëm kur ka prova. Ndërkohë që në vlerësimin e ish-kreut të institucionit qendror të zgjedhjeve votimi elektronik përmirëson procesin zgjedhor.
Bylykbashi: Kutitë hapen vetëm kur ka prova/Eksperti i PD-së në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, rithekson se kutitë e votimit duhet të hapen vetëm kur ka prova. Duke folur për debatin e zhvilluar dy ditë më parë në komisionin e reformës zgjedhore, tha se “është rënë dakord që materiali zgjedhor të mos numërohet ose të mos hapet në qendrën e numërimit përveç rasteve kur konstatohen mangësi dokumentare, dhe materiali zgjedhor do të hapet në Komisionin e Zgjedhjeve vetëm kur do ketë ankim dhe kur materiali zgjedhor përmban provat që kërkon”. “Pra, në rast se administrimi i provave sipas Kodit bëhet në kuti, vetëm atëherë mund të kërkohet që të hapet kutia. Rastet janë përcaktuar qartë”- tha ai.
Eksperti demokrat u shpreh gjithashtu se propozimi i PS-së për hapjen e kutive do të prishte konsensusin e arritur mes dy palëve. Bylykbashi sqaroi se është bërë një formulë që ndryshon konsensusin e arritur dhe do të krijonte një problem të madh sepse nëse hapen kutitë, kjo gjë do të shtonte ngarkesën e punës. Sipas, tij reforma do të përmbyllet brenda 15 majit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›