Lajmi/Kryeministrat Berisha dhe Thaçi më 8 maj në Prizren përurojnë abetaren unike
Abetarja e përbashkët për nxënësit në Shqipëri dhe Kosovë është gati për vitin e ardhshëm shkollor, 2012-2013. Në Prizren, më 8 maj, përurohet Abetarja unike për të gjithë nxënësit shqiptarë, në kuadër të shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Të pranishëm në këtë manifestim do të jenë kryeministrat e të dy shteteve, i Kosovës Hashim Thaçi dhe i Shqipërisë, Sali Berisha.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Shqipërisë përzgjodhën pak ditë më parë në Tiranë shtëpinë botuese për botimin e abetares së përbashkët “Shqipëri- Kosovë”.
Nga tri tekste, që u vlerësuan në përputhje me standardet e vlerësimit të abetares me pikë, vetëm një tekst arriti në vlerësimin e përgjithshëm mbi 80 pikë.
Ky është teksti me Nr. Kodi 1002.
Ky tekst ka plotësuar të gjitha parametrat e kërkuara, prandaj shpallet teksti fitues i konkurrimit. Kësisoj, duke nisur nga viti i ardhshëm shkollor, nxënësit e Shqipërisë dhe Kosovës do të përdorin abetaren e përbashkët, një dokument unik që synon të shërbejë pozitivisht në forcimin e lidhjeve arsimore mes dy vendeve.