Censusi i pasuron shqiptarët brenda ditës. Ja edhe disa TE DHENA pikante
Pas publikimit të rezultateve mbi regjistrimin e popullsisë, shqiptarët janë automatikisht 12 për qind më të pasur se një ditë më parë, pa dalë përfundimet paraprake të censusit.
Sipas të dhënave, mbi të cilat operonin institucionet shtetërore, por edhe ato ndërkombëtare, në Shqipëri në fund të vitit 2010 jetonin 3 milionë e 190 mijë banorë.
Mbi këtë numër popullsie të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse llogariteshin zyrtarisht në 7667 dollarë.
Por tani popullsia, sipas censusit të 2011-ës, është 11 për qind më e vogël se sa ajo e një ditë më parë, pa dalë rezultati.
Për pasojë, të ardhurat në Shqipëri rriten automatikisht nga 7667 në 8589 dollarë për frymë. Kjo rritje me mbi 900 dollarë është 12 për qind më shumë sesa të ardhurat që kishin shqiptarët një ditë përpara se të dilnin rezultatet e censusit.
Me këtë rezultat të ri, Shqipëria afrohet me disa nga vendet e rajonit, me të cilat më parë kishte diferenca jo të vogla tek të ardhurat për frymë.
Për shembull, krahasuar me Maqedoninë fqinje, përpara censusit Shqipëria i kishte të ardhurat për frymë 1531 dollarë më pak. Me rezultatin e ri pas censusit, diferenca bëhet vetëm 600 dollarë për frymë.
Të besueshme apo të pabesueshme shifrat e censusit, nga sot shqiptarët në letër janë pasuruar brenda 1 dite me mbi 900 dollarë më shumë.
Por ulja e numrit të popullsisë në këtë rast është thikë me dy presa, pasi përvecse rrit të ardhurat, rrit edhe borxhin publik për frymë.
Disa shifra pikante nga censusi
Në censusin e këtij viti mund të vihet re se pas 10 vitesh, ashtu siç ka paralajmëruar edhe Këshilli i Europës, në Shqipëri ka më shumë meshkuj se femra. Ndërkohë, dhjetë vite më parë, në Shqipëri kishte pak më shumë femra se meshkuj. Kurse në censusin e vitit 1989 dhe 1979, diferencat ishin më të thella. Në total kishte 51 përqind meshkujt dhe vetëm 48 përqind femra.
Një tjetër e dhënë interesante është se ndryshe nga dhjetë vjetë më par, tani numri i banesave të pabanuara ka pësuar rritje. Në vitin 2001, 88.8 përqind e banesave ishin të banuara, kurse aktualisht vetëm 67.2 përqind e banesave janë të banuara. Mesatarisht në vitin 2001, kishte 4.3 banorë për shtëpi, kurse tani janë 3.7 banorë.
Por nuk janë vetëm Kashari e Paskuqani komuna super të mëdha, por ka edhe shumë komuna të tjera që janë më të mëdha se qytetet. Kështu, pas Beratit e Lushnjes në vendin e 13-të e në vijim janë komunat Rrashbull, Farkë, Rrethinat, Dajt e më pas vjen Pogradeci, Kavaja e Gjirokastra.
Dendësinë më të madhe të banorëve e ka Tirana me 10.533 persona në një kilometër katror, një shifër e frikshme kjo, kurse më pak dendësi ka Leskoviku me 1.8 banorë për kilometër katrorë.
Kurse më shumë meshkuj për 100 femra ka në komunën Temal, 133.5 dhe më pak në komunën Pogoni, 84.7.