Aventura shqiptare e Fatos Nanos dhe Sali Berishës
Fatos Nano dëshiron të bëhet president i Shqipërisë. Dy sejmenë të Sali Berishës thonë se ai ka biografi presidenciale dhe si i tillë është i denjë për këtë post. Kështu flitet në dimrin e vitit 2011. Në verën e vitit 2005 Berisha e quante Nanon shef të një sistemi korruptiv, kumarxhi kazinosh dhe bashkëpjesëmarrës në tregti me drogë!
Nga Enver Robelli
Papritur na u shfaq Fatos Nano. Foli nga Londra. Iu drejtua shqiptarëve me një mesazh politik, duke paralajmëruar se do të kandidojë – për postin e kryetarit të Shqipërisë. Të tilla ambicie Nano nuk i ka fshehur. Qëmoti është folur e pëshpëritur – jo vetëm në restorantet e Tiranës – për rikthimin e tij ose, së paku, për përpjekjen e tij të radhës për rikthim në politikë. Ky politikan, të cilin shkrimtari Ismail Kadare e përshkruan në një libër, kohëve të fundit, si kumarxhi dhe, si të tillë, edhe të rrezikshëm nëse i lihen në dorë fatet e vendit, pra, Fatos Nano, sërish është në mesin tonë. Duket se nuk i ka shëruar ende plagët e humbjes së postit udhëheqës në Partinë Socialiste. Duket se ndjenjat hakmarrëse janë busull e tij politike. Duket se ende dëshiron ta mbajë peng Shqipërinë. Në këtë aventurë ai tashmë ka marrë mbështetjen e tërthortë nga dy sejmenë të kryeministrit Sali Berisha. Dy eksponentë të Partisë Demokratike, Genc Ruli dhe Edi Paloka, nxituan ta lavdërojnë rivalin e tyre të dikurshëm politik. Nano duket se ka hyrë dhëndër tash në PD. Dhe për dhëndrin, se paku ashiqare, duhet të thuhen vetëm fjalë të mira ashtu si për të vdekurin (De mortuis nil nisi bene). Në frymën e kësaj logjike dy politikanët e PD-së e himnizuan Nanon si figurë politike me përvojë dhe si politikan që ka një CV [biografi, v.j.] të përputhshme për postin e presidentit.
Mentaliteti kazinoje
Lavdërimet e (pa)pritura për Nanon duken aq të pabesueshme nëse merret parasysh marrëdhënia e tij me PD-në, në fakt përplasja e tij shumëvjeçare me Berishën, të cilin e ka fajësuar drejtpërdrejtë për futjen e tij në burg gjatë viteve 90-të. Fakti që Berisha e përjashtoi mundësinë që Nano të mbështetet nga PD si kandidat për kryetar të Republikës ende nuk domethënë shumë. Nano mund të përdoret si kali i Trojës për të përçarë të majtën. Vetë Berisha e ka pak vështirë të flasë në superlativ për Nanon, siç bëjnë sejmenët e tij. Sepse Berisha ka shprehur mendime krejt të tjera dhe krejt negative për ish-kryetarin e Partisë Socialiste.
Më 18 korrik 2005, disa ditë pasi fitoi zgjedhjet parlamentare, Sali Berisha i dha një intervistë revistës gjermane Der Spiegel. Në fushatën e atëhershme elektorale kishte dominuar një temë: korrupsioni nën qeverisjen e Fatos Nanos, mentaliteti i kazinove në drejtimin e shtetit. Kundër këtij mentaliteti më i zëshmi kishte qenë Berisha. Dhe kori rreth tij. Krerët e PD-së, atëbotë, nuk u treguan dorështrënguar me dhënien e premtimeve të mëdha. Do të luftojmë këtë e atë të keqe, thoshin me bindje dhe gjoks të ngrefosur. Shqiptarët ishin lodhur me regjimin e Nanos. Ia dhanë votën dhe ia falën besimin PD-së. Në Der Spiegel Berisha tha: Korrupsioni është rritur në mënyrë astronomike që nga viti 1997. Unë, brenda dy deri tri viteve do ta ul atë në nivel të pranueshëm, për këtë do të ketë ligje të reja. Pushteti nuk bën të shfrytëzohet për tu bërë i pasur brenda natës; ministrat duhet të shesin firmat e tyre. Do ti heqim të gjitha monopolet në Shqipëri, të cilat kanë qenë nën mbrojtjen e qeverisë. Në zhurmën dhe kakofoninë e Tiranës nuk u dëgjua se Berisha spremtoi çrrënjosjen e korrupsionit, por vetëm uljen e tij në nivel të pranueshëm! Të thoshte këtë një politikan i ndonjë vendi me demokraci të konsoliduar, ai nuk do merrte më kurrë votat e qytetarëve. Në Shqipëri politikanët mund të jenë të sinqertë, madje në mënyrën më bizare. Si qëndron puna me heqjen e monopoleve në Shqipëri viteve të fundit? Njohës të pavarur të rrethanave politike dhe ekonomike thonë se monopolet vetëm kanë kaluar nga duart e oligarkëve socialistë në duar të njerëzve të afërt me pushtetin aktual. Nga këto monopole ndukin ndonjë fije edhe gazetarët e pushtetit; nëse nesër vjen në pushtet Partia Socialiste, atëherë skenën mediatike do ta dominojnë sekondantë të tjerë publicistikë. Edhe këta do të kërkojnë shpërblim për angazhimin shumëvjeçar jo për një qeverisje më të mirë, por për përfitime personale.
Kumarxhi dhe diler droge
Nga perspektiva e vitit 2011 edhe më interesant, ndërkaq, duket mendimi që kishte shfaqur Berisha më 2005 në Der Spiegel për Fatos Nanon. I pyetur nëse do të duhej ta arrestonte Nanon për shkak se ai kishte ndërtuar një sistem korruptiv, Berisha deklaronte: Nuk lihet përshtypje e mirë nëse arrestohet lideri i ardhshëm opozitar, ndonëse Nano asgjë tjetër nuk dëshiron përveç se rolin e martirit. Që ai është kreu i një sistemi korruptiv mbarëvendor, këtë e di secili. Prej nga do të vinte ndryshe pasuria e tij marramendëse? Si do ti harxhonte ai ndryshe qindra-mijëra euro në kazino? Nano është pronar i një ndërmarrjeje transportuese me helikopterë, klientët kryesorë të së cilës janë tregtarët më famëkeq të drogës në Shqipëri. Ata transportojnë heroinë dhe kokainë nëpër Shqipëri, e çojnë në Kukës dhe nga atje në vendet fqinje.
Fatos Nano kreu i një sistemi korruptiv!
Fatos Nano kumarxhi kazinosh!
Fatos Nano bashkëpjesëmarrës në tregti me drogë!
Të gjitha këto epitete për Nanon i ka thënë Sali Berisha. Tani, në dimrin e vitit 2011, eksponentë të Partisë Demokratike publikisht ia shtrojnë rrugën Nanos për tu bërë president i vendit. Më tutje në intervistën e vitit 2005 Berisha thotë se Shqipëria po shkatërrohet nga droga, pasi është shndërruar në parajsë të kokainës dhe heroinës. Sipas tij, prapa veprimtarisë së paligjshme në tetë vitet fundit (1997-2005) ka qëndruar shteti. Shteti i Fatos Nanos dhe, në atë kohë, edhe i Ilir Metës, i kyçur në tregti me drogë? Po, sipas Berishës së vitit 2005. Edhe diçka kishte thënë Berisha në vitin 2005: Synimi im është: anëtarësim në BE pas pesë viteve. Në vitin 2011 Shqipëria nuk është afër të marrë as statusin e kandidatit. Madje në vitin 2011 në Tiranë flitet për mundësinë që Nano të bëhet president. Berisha tashmë i ka shpallur ambiciet e tij të përjetshme: ai dëshiron të qeverisë derisa ta thërrasë ai lart.
Të dehur nga pushteti
Për të mirën e Shqipërisë Sali Berisha dhe Fatos Nano do të duhej të dilnin në pension, nëse dëshirojnë të mos mbahen mend nga shqiptarët vetëm për të këqijat e tyre. Të dehur nga pushteti, për fat të keq, të dytë duan ta mbajnë peng vendin! Liderët e mirë, ata që bëhen merak për fatet e shtetit dhe shoqërisë dhe që mendojnë në kategori më të largëta kohore, kujdesen me kohë për kalimin e pushtetit në duar të trashëgimtarëve politikë, të cilët përgatiten me vite. Në Shqipëri është ndryshe. Në Shqipëri të gjithë duan ta mbajnë pushtetin përgjithmonë, sepse pushteti nuk kuptohet si mundësi për ti shërbyer vendit, por si rast i papërsëritshëm për të