E Diel, 1 Nëntor 2026

Censusi, qytetarët kërkojnë fotokopje për të çuar në konsullatë

Anketuesit janë përballur dje në Korçë me kërkesën e qytetarëve se, nëse nuk do t’u jepej një fotokopje e rubrikave për fenë dhe etninë, nuk do e plotësonin formularin

Korçë Disa persona që janë vetëdeklaruar si grekë kanë kërkuar fotokopjen e deklaratës së të dhënave, në mënyrë që të kenë mundësi që më pas ta paraqesin atë në konsullatë, kur do t’u duhet të aplikojnë për vizë tremujore. Procesi i regjistrimit në ditën e dytë të tij në qytetin juglindor të vendit shfaq një fenomen, që duket se do jetë në masë në këtë qytet.

Kërkesa

Tri familje në qytetin e Korçës, gjatë ditës së diel kanë vënë kushte për anketuesit, të cilëve iu kanë bërë të ditur se do të japin informacionet që kërkohen, por vetëm nëse iu jepet fotokopja e deklaratës së tyre me të dhënat, ku përfshihen etnia dhe feja. Në fakt, në të tria rastet bëhet fjalë për familje që do të vetëdeklaroheshin si grekë. Madje mësohet se ata kanë sqaruar se kjo fotokopje iu duhet për ta paraqitur në momente të caktuara pranë konsullatës greke, kur iu nevojitej vizë 100-ditore për t’u pajisur me dokumentet 10-vjeçare homogjenistë. Ndërkohë që ata thonë se kushti iu është vënë nga konsullata greke dhe që fenomeni, i cili është shfaqur për herë të parë në procesin që porsa ka mbushur 48 orë, është bërë i ditur dhe për drejtuesit e zyrës lokale të INSTAT-it në Korçë.

Deklarata

Sami Meçollari, kreu i kësaj zyre, ka pranuar fillimisht rastet që sipas tij janë konsideruar sporadike dhe që nuk cenojnë normalitetin e këtij procesi që shoqëron edhe qytetin juglindor të vendit. Ndërkaq, vetëm disa orë më pas, Meçollari e ka tërhequr deklaratën e tij duke i quajtur zërat të pavërtetë. Në fakt duke iu referuar të njëjtave burime, mësohet se anketuesit që janë përballur me rastet në fjalë i kanë bërë ato të ditura në mënyrë urgjente tek drejtuesit e tyre, ndërsa në asnjë rast nuk janë marrë të dhënat e pjesëtarëve të këtyre familjeve, përderisa nuk është pranuar që të jepej fotokopja e formularit në fjalë. Duket se situata do të hyjë në rrugë pa krye nëse të gjithë poseduesit e kartave homogjeniste në Korçë do të vetëshpallen grekë dhe do të kërkojnë që aplikimi i tyre të jetë i faktuar me anë të një dokumenti, ndërsa të gjitha këto do të shkojnë në konsullatën greke. Në fakt, kjo mund të jetë dhe një kërkesë e ardhur nga përfaqësues të organizatave të minoritetit grek që veprojnë në Korçë në mënyrë indirekte dhe nga konsullata e këtij shteti në këtë qytet. Këto fotokopje pritet të grumbullohen për t’u pasur më pas si dokument në duart e diplomatëve grekë, për t’i përdorur ato si argument për pretendimet e tyre. Ndërkaq, konsulli grek, Theodor Ikonomou, i cili pritet të rinovojë mandatin e tij të dytë në krye të konsullatës greke në Korçë në fund të muajit tetor, vazhdon të jetë në krye të detyrës, teksa ka preferuar të flasë vetëm pasi të ketë përfunduar regjistrimi i popullsisë.

Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›