Universitetet, pikët për të fituar me Formularin A3
Pikët e fituesve të fundit në fazën e dytë të pranimeve në universitete do të jenë pragu që duhet të kapërcejnë konkurrentët e radhës për të siguruar të drejtën e studimit në raundin e dytë, ku aplikimi do të bëhet me Formularin A3. Në këtë formular do të renditen të gjitha degët e universiteteve që kanë ende vende të lira dhe përkrah secilës prej tyre do të shënohen dhe kuotat përkatëse. Ndërkohë që edhe në Formularin A3 maturantët do të kenë mundësi të përzgjedhin 10 preferenca të ndryshme studimi. Specialistët e arsimit shpjegojnë se në këtë mënyrë, secili prej kandidatëve ka të drejtë që në bazë të pikëve të grumbulluara gjatë fazave të mëparshme të përzgjedhë atë program studimi ku shanset e tij për të fituar janë më të mëdha. Më konkretisht, këshillohet që maturantët ta bëjnë përzgjedhjen e degëve në Formularin A3 sipas pikëve të grumbulluara dhe kuotave që ka në dispozicion çdo program studimi. Ky formular do të përmbajë të gjitha kuotat e përcaktuara nga MASH-i, për secilin program studimi të ciklit të parë dhe do të mundësojë orientimin dhe aplikimin për programin e studimit të preferuar nga kandidati, në bazë të pikëve të fituara dhe të pikëve të fituesit të fundit. Edhe në raundin e dytë të pranimeve në universitete, kandidatët fitues do të përcaktohen në bazë të dy parimeve: parimi i meritës: sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore dhe për disa programe studimi edhe të rezultateve të konkursit të zhvilluar për degët që kanë pasur një specialitetet të tillë; parimi i vullnetit të kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre në Formularin A3.
Ditën e premte të javës së shkuar, universitetet mbyllën regjistrimet e fazës së dytë, ndërkohë që mbi 2 mijë kuota do të jenë në garë për raundin e dytë të pranimeve. Vendet e mbetura bosh nga faza e dytë e regjistrimeve do të kalojnë për raundin e dytë të pranimeve, ku fituesit nuk do të shpallen me spostim liste, por nëpërmjet konkurrimit me Formularin A3. Në Universitetin e Tiranës kanë mbetur në total 178 kuota të paplotësuara, pjesa më e madhe e të cilave i përkasin Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe atij të Shkencave të Natyrës, si dhe filialit të tij në Sarandë. Ndërsa për degët më të preferuara të këtij Universiteti, pranimet janë drejt mbylljes, pasi kanë ngelur nga 2 deri në 10 vende të lira, për të cilat duhet të pritet vendimi i Ministrisë së Arsimit, nëse ato do të jenë pjesë e Formularit A3. Më konkretisht, vendet bosh në Universitetin e Tiranës, sipas fakulteteve janë: Ekonomiku 16, Filologjiku 8, Gjuhët e Huaja 53, Shkencat Sociale 10, Juridiku 2, Mjekësia 3, Infermieria 8, Shkencat e Natyrës 33, Filiali Kukës 8, Filiali Sarandë 37. Ndërkohë që edhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës kanë rezultuar përsëri kuota të paplotësuara pas fazës së regjistrimeve përfundimtare. Në fakultetet e këtij universiteti në total janë 224 vende të lira, ndërsa në atë të Arteve dhe Sporteve nuk ka më kuota vakante. Tashmë, pritet që Ministria e Arsimit të zbardhë shpërndarjen e vendeve bosh për të gjitha universitetet e vendit, ndërkohë që MASH ka bërë të ditur se janë 1354 vende të tjera bosh, që nuk janë përzgjedhur nga maturantët gjatë plotësimit të Formularit A2. Këto kuota, sipas MASH, mund të jenë kontingjent për Formularin A3, që do të plotësohet nga maturantët pas regjistrimit përfundimtar të fituesve. Formulari A3 do të shpërndahet në të gjitha drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore, ku mund të tërhiqet nga kandidatët, të plotësohet dhe të dorëzohet i plotësuar në institucionin në të cilin është marrë.