E Diel, 1 Nëntor 2026

Central bërthamor në Shqipëri, qeveria ngre agjencinë

Autori i Lajmit: RedaksiaKëshilli i Ministrave nis përgatitjen e bazës ligjore për ngritjen e centralit bërthamor. Qeveria ka miratuar dje krijimin e Agjencisë Kombëtare Bërthamore (AKOB), si institucion qendror në varësi të Kryeministrit, e cila synon ti hapë rrugën ngritjes së infrastrukturës për centralin bërthamor në vend. AKOB do të zhvillojë programin bërthamor, përfshi këtu ngritjen e një infrastrukture të nevojshme për centralin bërthamor, vendin ku do të ngrihet centrali si dhe përgatitjen e përzgjedhjen e një stafi, sipas nevojave. Gjithashtu, kompetencë e AKOB është njohja e popullatës dhe e grupeve të interesit me programin bërthamor, gjatë të gjitha fazave të zhvillimit të tij, si dhe sigurimi i ruajtjes, së lëndës djegëse bërthamore, të materialeve radioaktive, të cilat lidhen me procesin e prodhimit të energjisë nga centrali bërthamor. Hartimi i dokumentacionit dhe ndjekja e procedurave, në bazë të të cilave do të kërkohen oferta për centralin bërthamor është një tjetër pikë e mandatit të kësaj strukture të re që do të ketë një këshill drejtues dhe kryetarin. AKOB ka gjithashtu për detyrë të përzgjedhë vendet në të cilat mund të ndërtohet centrali bërthamor. Sipas strukturës së miratuar, kryetari emërohet dhe lirohet me urdhër të Kryeministrit dhe propozim të ministrit të Shtetit. AKOB do të bashkëpunojë me institucione të ndryshme të vendit dhe të huaja për të realizuar misionin dhe objektivat e tij. Sipas vendimit të Qeverisë, bashkëpunim të ngushtë do të ketë me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA). AKOB-i e ka selinë në Tiranë dhe e zhvillon veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës të Shqipërisë. AKOB-i ka vulën dhe stemën e vet zyrtare. Ligji përcakton gjithashtu se AKOB-i është institucion buxhetor dhe financohet nga buxheti i shtetit; burime financiare nga palë të treta, të destinuara për programin kombëtar bërthamor, nga fonde të institucioneve ndërkombëtare, të shteteve të veçanta dhe të organizatave të ndryshme, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe donacione të subjekteve fizike dhe/ose juridike, nga sektori privat, vendas dhe/ose i huaj, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. Organet drejtuese të kësaj strukture të re janë Këshilli Drejtues dhe Kryetari. Muaj më parë, kreu i Ekzekutivit shqiptar shprehu gatishmërinë për ngritjen e një centrali bërthamor në vendin tonë. Ky qëndrim i tij u kundërshtua nga opozita shqiptare, por dhe nga lëvizja qytetare. Madje pati dhe një sërë protestash qytetare kundër kësaj ideje. Edhe Parlamenti Evropian është shprehur kundër idesë së Berishës. Shefja e delegacionit për Evropën Juglindore të Parlamentit Evropian, Doris Pak, ka pohuar se vendi ynë ka shumë alternativa të tjera të prodhimit të energjisë, para se të shkojë tek ajo bërthamore. Sipas Pak, përdorimi i energjisë bërthamore do shumë kohë, ndërkohë që burime të tjera mund të jenë më të shpejta.

Ky lajm është publikuar: 21/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›