Deputetët, mandat special për të parkuar ku të duan
Bledar HotiKryetarja e Kuvendit i pajis deputetët e maxhorancës me një mandat të veçantë për të parkuar në çdo kohë dhe në çdo vend makinat e tyre private. Mandati special është shpërndarë prej dy ditësh për të gjithë deputetët e maxhorancës të cilët tashmë kanë në disponim jo më makina shtetërore, por ato private. Në tryezat e komisioneve parlamentare, deputetët janë njohur me një njoftim të sekretarit të Përgjithshëm të këtij institucioni, Marlind Myftiu, ku të zgjedhurit e popullit vihen në dijeni se: “makinat e tyre mund të parkohen përpara hotel ‘Rogner’ gjatë punimeve në Kryesinë e Kuvendit, si dhe në rastet kur ka seancë përgjatë rrethimit të kësaj godine”. Deputetët e PD-së, sipas burimeve zyrtare, mësohet se janë pajisur me një mandat të posaçëm, ku njoftohet polici i qarkullimit rrugor që të mos bllokojë automjetin, pasi automjeti ka një person që gëzon imunitet të veçantë dhe që është deputet i Parlamentit. Dokumenti mban firmën e kryeparlamentares Jozefina Topallit. Ndërsa mësohet se për të gjitha makinat e deputetëve, me targat e tyre, tashmë private, janë listuar dhe i janë dërguar Ministrisë së Brendshme. Ky dikaster është njoftuar me anë të një liste të posaçme për makinat e deputetëve dhe për targat përkatëse të tyre. Kështu policët rrugorë, përpara se të vendosin gjoba, apo të bllokojnë makinat me karrotreca duhet të pyesin qendrën e Informative nëse kjo makina është e një qytetari të thjeshtë apo të një personi me imunitet parlamentar. Por ky mandat i dhënë kësaj herë për paprekshmëri të makinës, po vërehet se po abuzohet nga përfaqësuesit e maxhorancës, pasi ata po parkojnë automjetet e tyre edhe mbi trotuaret përpara godinës së kryesisë së Kuvendit. Një gjë e tillë vjen për faktin se ky institucion shtetëror, ndryshe nga të tjerët, nuk ka ende një parkim të posaçëm të tijin. Kjo ka bërë që edhe vetë policia e qarkullimit rrugor të gjendet përballë një kaosi të vërtetë sa herë që ka seancë parlamentare. Kjo për faktin se përpara nisjes së shqyrtimit dhe votimit të projektligjeve, policia rrugore duhet të bëjë një punë kolosale për zhvendosjen e makinave të parkuara përreth godinës së seancave nga qytetarët e thjeshtë, për t’i zëvendësuar me ato që gëzojnë imunitet parlamentar. Situata është e tillë, pasi, ndryshe nga herët e tjera asnjë makinë, qoftë edhe ministrore, nuk lejohet të parkojë përpara oborrit të kësaj godine. Një vendim i kryeparlamentares Topalli përpara tre vitesh, ua hoqi këtë të drejtë deputetëve dhe ministrave. Kuvendi, përpara disa kohësh, miratoi ligjin që i heq privilegjet deputetëve për të pasur një makinë shtetërore, duke ia paguar edhe karburantin. Tani me këtë ndryshim ligjor, deputetët do t’u paguhet vetëm karburanti, nëse ata kanë makinën e tyre private për ta përdorur në punën e përditshme. Ligji i ri ka përcaktuar një kuotë të posaçme për të zgjedhurit e popullit, duke i vendosur mbi bazën largësinë që kanë ata me zonën zgjedhore ku janë zgjedhur si deputetë. Kështu, fondet më të mëdha i marrin deputetët e qarkut të Gjirokastrës, ndërsa më pak fonde për ti përdorur për blerje karburanti kanë ata të qarkut të Tiranës. Heqja e këtyre privilegjeve shihet nga qeveria “Berisha” si pjesë e shkurtimit të shpenzimeve dhe për mosdhënien e një trajtimi të veçantë deputetëve. Kështu masa e parë ka qenë heqja e makinave shtetërore për deputetët dhe dhënia e një fondi në formën e bonusit të veçantë për udhëtimet brenda territorit shqiptar.Mungesa e PS, Kuvendi në vështirësi për ligjet Mungesa e opozitës në Kuvend vë në vështirësi maxhorancën për votimin e 6 ligjeve të parashikuara në seancën e mbrëmshme plenare. Të gjendur pa 64 deputetët e opozitës, prej muajsh arritja e kuorumit të deputetëve prej 71 prej tyre është kthyer në një problem të vërtetë për kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Një vështirësi e tillë u vu re edhe në votimin e djeshëm në seancë, kur e gjendur ngushtë nga mungesa e vetë deputetëve të saj është detyruar të ndërpresë seancën parlamentare. Në momentin që ka parë mungesën e deputetëve të maxhorancës, Topalli nuk ka ngurruar të marrë telefonin në dorë dhe të thërrasë në telefonin disa prej deputetëve demokratë që mungonin në sallë. Në sallë kanë qenë vetëm 66 deputetë prezent. Duke parë se numri i deputetëve ishte i vogël, kryeparlamentarja kërkoi ndërprerjen e seancës për 15 minuta gjersa të njoftoheshin deputetët për të shprehur vullnetin e tyre me anë të votës së tyre për projektligjet që ishin në diskutim. Demokratët nuk kanë menduar se seanca do të përfundonte së shpejti nga shqyrtimi i projektligjeve dhe janë shpërndarë nëpër kafenetë rrotull Parlamentit. Por seanca ka nisur pas gjysme ore, pasi është konstatuar se është mbledhur numri i duhur i deputetëve, ku minimumi nevojiten 71 deputetë. Më pas ligjet e parashikuara në rendin e ditës janë votuar me 73 vota pro nga të gjithë deputetët prezent të maxhorancës. Ndërsa më vonë ka mbërritur dhe kryeministri Sali Berisha duke bërë që projektligjet e mbetura të votoheshin me 74 vota pro.