E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish të Përndjekurit, lista me emrat që kanë mungesë dokumentacioni

Autori i Lajmit: RedaksiaVazhdon shpërndarja e lekëve në banka për ish të përndjekurit politikë sipas listës së emrave të miratuar nga qeveria. Por për një pjesë të mirë të tyre shpërndarja e parave është ndërprerë për arsye se ka mungesë në dokumentacion. Sipas burimeve nga shoqata e ish- të përndjekurve politikë dhe Ministria e Financës, dokumentacioni i munguar, mund të sigurohet shumë shpejt dhe në të njëjtën kohë mund të dërgohet në ministrinë përkatëse. “Ne jemi në dijeni që dikujt i mungon certifikata personale, dikujt numri i llogarisë, një tjetri certifikata e trungut familjar apo mangësi të tjera të kësaj natyre, për të cilat ekziston mundësia të dorëzohen në kohë dhe që brenda këtij viti të mund të tërheqin dëmshpërblimin e tyre,” sqarojnë burime nga Ministria e Financave. Afati për pranimin e dokumentacionit të ri për dëmshpërblim është shtyrë deri në 1 shkurt të këtij viti dhe më pas do të nis sërish. Janë mjaft persona, kryesisht ata që jetojnë jashtë vendit, që nuk kanë dijeni dhe informacion të plotë për procedurat në zbatim të ligjit. Në Shqipëri janë rreth 48 mijë vetë që kanë përfituar statusin e ish të përndjekurit politik. Nga këta pritet që përfitues nga procesi i dëmshpërblimit të jenë rreth gjysma e tyre. Por dhe niveli i përfitimit do të jetë i ndryshëm në varësi të treguesve që përllogarisin sasinë e lekëve që të paguan shteti. Ministria e Drejtësisë pas depozitimit të kërkesave dhe plotësimit të formularit të vetëdeklarimit, nis menjëherë shqyrtimin e dosjeve. Për këto dosje grupi i punës vëren konstatimet e para në të cilat është bazuar për përgjigjet e dhëna mbi secilën, dhe në listat për dëmshpërblim nuk jepen vetëm gjeneralitetet e pretenduesit për dëmshpërblim, por edhe përgjigjet fillestare që ka marrë gjithsecili. Në varësi të përgjigjes këta të përndjekur duhet të paraqiten në Ministri për të pyetur mbi procedurën e mëtejshme që duhet të ndjekin. Për ata që kanë marrë përgjigje negative do të thotë se i kanë humbur shpresat njëherë e mirë për të vijuar më tej fazën e shqyrtimit për të marrë dëmshpërblim. Gjatë procesit të shqyrtimit dosjes i vihet një shënim nga ana e specialistëve, me anë të të cilit vendoset se në cilën fazë është përfshirë kërkesa për dëmshpërblim. Në rastet kur në përgjigjen nga Ministria e Drejtësisë shkruhet se dosja është në shqyrtim të drejtpërdrejtë, e thënë ndryshe, dosja është në fazën e parë të hetimit, i cili kryhet në sektorin e gjendjes gjyqësore në Ministrinë e Drejtësisë (skedarët e përgjithshëm dhe ato të posaçëm për të përndjekurit politikë të regjimit komunist) dhe, sipas rastit, në arkivin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Çdo kërkesë i nënshtrohet këtij shqyrtimi, pavarësisht informacionit provues që i bashkëlidhet dosjes. Kopja e ekstrakteve të arkivit printohet, nënshkruhet nga punonjësi që përpunoi informacionin dhe i bashkëlidhet dosjes së kërkuesit. Informacioni, për çdo kërkesë, kërkohet në të gjitha variantet; emër, mbiemër, viti i lindjes, lloji i veprës penale etj., përfshi edhe indicet për gabime të mundshme, ortografike dhe materiale, të dhëna nga vetë kërkuesi, për gjeneralitetet e tij.

Ky lajm është publikuar: 21/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›