Topalli: “Thellim marrëdhëniesh me Rusinë”
Autori i Lajmit: RedaksiaAmbasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksandër Prishepov, ka zhvilluar dje një takim me Kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, në mbyllje të mandatit të tij katërvjeçar në vendin tonë. Gjatë takimit, ambasadori rus tha se ishte shumë i kënaqur që kishte shërbyer në Shqipëri, ku, siç u shpreh ai, nuk u ndje aspak i huaj. “Gjatë katër viteve të qëndrimit tim në Shqipëri kam parë një progres të jashtëzakonshëm. Nuk di një vend tjetër që të ketë arritur kaq shumë në kaq pak kohë”, - është shprehur Prishepov. Duke kujtuar katër vitet e kaluara në Shqipëri, ambasadori rus vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve, veçanërisht në fushën politike dhe ekonomike kanë njohur zhvillim mjaft të mirë. Ambasadori Prishepov dhe kryetarja Topalli theksuan rëndësinë e nxitjes e shkëmbimeve ndërparlamentare dhe u shprehën optimistë për zhvillimin e marrëdhënieve edhe në këtë fushë duke pasur parasysh ndjenjat e simpatisë së ndërsjellë që ekzistojnë mes dy popujve. “Rusia është një faktor shumë i rëndësishëm politik dhe ekonomik në nivel global dhe unë dua tju falënderoj për vullnetin e treguar në këtë drejtim”, - tha Topalli. Po dje Kryeparlamentarja priti dhe ambasadorin e Ukrainës për Shqipërinë, Valeri Cibuk.
Ky lajm është publikuar: 21/01/2010