Centrali bërthamor do të ndërtohet në Shqipëri, Italia partneri i parë
Pakti i dy kryeministrave Berisha-Berluskoni
Pas dështimit të projektit për ndërtimin e centralit nuklear në Puglia, kryeministri Sali Berisha konfirmon për të përditshme italiane “La Gazetta del Mezzogiorno”, mbështetjen e palës shqiptare, për prodhimin e energjisë nukleare në vendin tonë, duke iniciuar kështu një linjë të re bashkëpunimi mes dy brigjeve.
Për shefin e ekzekutivit, Berisha, shqiptarët nuk duhet të injorojnë një projekt të tillë dhe as të anashkalojë përfitimet e majme ekonomike që do të sjellë eksportimi i energjisë së rinovueshme, ndër më të pastrat dhe më të qëndrueshmet. Italia është e gatshme të financojë ndërtimin e një centrali nuklear në Shqipëri, nga ku mund të importojë energji elektrike për në Gadishull. E përditshmja italiane “La Gazetta del Mezzogiorno”, shkruan se për të ringjallur këtë projekt, në fushën e bashkëpunimit bërthamor mes dy vendeve, kanë qenë Kryeministri italian Silvio Berluskoni dhe homologu i tij shqiptar, Sali Berisha, gjatë një takimi të realizuar në “Palazzo Chigi”.
“Shqipëria do të shndërrohet në një “super fuqi e vogël” energjetike në Ballkan, në një qendër të rëndësishme të prodhimit të energjisë elektrike”, ka deklaruar Berisha, ndërkohë që Italia është e gatshme të mbështesë ambiciet e Tiranës.
Berisha i ka shpjeguar Berluskonit një numër të konsiderueshëm projektesh lidhur me burimet tradicionale të energjisë, rigazifikimin e gazit të lëngshëm, stacionet energjisë termike dhe gjithashtu mundësinë e ngritjes së centraleve bërthamore. Italia është shumë e interesuar për këtë. Dhe nga ana e tij, kryeministri dhe ish Presidenti shqiptar, pohoi se “ne jemi të hapur për prodhimin e energjisë bërthamore”. “Shqiptarët, ka theksuar kryeministri Berisha, nuk mund të dështojnë të kuptojnë përfitimet e mëdha nga kjo formë e pastër dhe më e qëndrueshme e energjisë”.
Projekti i energjisë bërthamore, është bashkëpunim i parë mes dy brigjeve, i mbështetur fort nga të dy krerët e qeverisë.
Gjatë vizitës që kryeministri Berluskoni zhvilloi në Tiranë në dhjetor të 2008-ës, Berisha shprehu besimin e tij se Italia do të bëhet “partneri i parë i Shqipërisë në këtë fushë”. Dhe, aq më tepër sot, kur ka marrë dritën jeshile nga Dekreti i Këshillit të Ministrave, për përvijimin e kritereve për vendndodhjen e vendeve bërthamorë në Italia- dhe mundësia e krijimit të burimeve të reja gjeneruese në Shqipëri, hap mundësi të reja për të rifilluar projektet bërthamore italiane, duke iu përgjigjur kështu nevojës së konsumatorëve, për të diversifikuar burimet e energjisë dhe zvogëluar shpenzimet.
...