E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceremonia, diplomohen studentët e “Luarasit”

TIRANE  - Me një prezantim madhështor u realizua dje ceremonia e diplomimit të studentëve në Universitetin “Luarasi”. 38 juristët e rinj kanë marrë diplomat e suksesit dhe përfundimin me sukses të studimeve ka përshëndetur edhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Shumë studentë dhanë eksperiencat e tyre pozitive në universitet. Madje një e sapodiplomuar falenderoi motrën e saj për rekomandimin, e cila edhe ajo ka mbaruar Universitetin “Luarasi” dhe u shpreh njësoj e emocionuar si ditën e parë të shkollës.
“Ne jemi një familje”, këto fjalë të profesorit Përparim Kabo përmbledhin më së miri atë që në fakt është “Luarasi”, jo thjesht një universitet. Në ceremoninë e organizuar në Amfiteatrin e Liqenit Artificial të Tiranës, 38 të rinjtë, mes emocionesh e përqafimeve prindërore u kanë dhënë fund viteve të studimit për ciklin “Bachelor”. Me pjesëmarrjen e dhjetëra të ftuarve që i përkasin komunitetit akademik, juristëve më të njohur, kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, si dhe të ftuarit special, ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, u janë dorëzuar diplomat e suksesit.
Po të diplomohesh në Universitetin “Luarasi” e ardhmja është e garantuar dhe brezi i 8-të i studentëve tregoi edhe një herë se aty dija merr tjetër vlerë. Rreth 80% e të diplomuarve në këtë universitet ndër vite kanë arritur të sigurojnë një vend pune fill pas diplomimit. Diplomat u njihen jashtë vendit, pa qenë nevoja të japin provime shtesë.
“Keni mësuar shumë dhe e keni fituar me përpjekje një diplomë për nivelin ‘Bachelor’. Por gjithashtu jam i bindur se nuk do të ndaleni me kaq, se ndjekja e një masteri është projektuar në mendjen tuaj për t’jua shtuar edhe më shumë njohuritë mbi ligjin. Shpresoj se ju kemi përgatitur siç duhet për sfidat që ju presin në profesionin tuaj”, tha gjatë ceremonisë rektori i Universitetit “Luarasi”, Sokol Sadushi. Ai shtoi se janë tre komponentë, tri vlera që çdo pedagog i universitetit që drejton ka dashur të transmetojë te secili prej studentëve. “Jemi përpjekur t’ju japim tri gjëra. Së pari, njohuritë për ligjin, së dyti vizionin dhe do t’ju kërkoja të motivoni vizionin tuaj, dhe së treti, besimin se jeni të aftë për t’i bërë ballë çdo sfide. Besoj se nuk janë pak”, tha rektori Sadushi.
Ndërsa, dekani Irakli Koçollari, i cili shpërndau diplomat e para, u dha një mesazh të rëndësishëm juristëve të rinj. “Përpiquni të mbeteni qytetarë të mirë të këtij vendi. Përpiquni të jepni kontributin tuaj për të, sepse vetëm kështu do të mundni t’ia dilni mbanë gjithmonë”, tha Koçollari.
Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, tha dje se vendi ka nevojë për të rinj të përgatitur për t’u përshtatur në tregun e punës dhe për të përdorur siç duhet njohuritë që ka marrë nga bankat e shkollës. “Mendoj se vendi ka potencialet e duhura njerëzore dhe studentët që diplomohen sot këtu janë dëshmi për këtë. Ndaj jam i bindur se sfida që ne kemi për të mundësuar një arsimim sa më cilësor dhe për të përgatitur një brez që do dijë t’i përgjigjet kërkesës së tregut, është një sfidë që ne bashkë me secilin nga ju do ta përballojmë me shumë sukses”, tha Tafaj. Ceremoninë e përshëndetën edhe pedagogë të tjerë, të cilët i përkasin trupës akademike të universitetit. Janë të gjithë personalitete me CV për t’u admiruar në fushën juridike apo ekonomike.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Ceremonia, diplomohen studentët e “Luarasit”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›