E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ceremonia e hapjes së samitit të NATO-s, Rama përshëndetet nga Stoltenberg dhe Nauseda

Ka nisur ceremonia e hapjes së samitit të NATO-s në Vilnius, Lituani me fjalën e Sekretarit të Përgjithshëm të aleancës Trans-Atlantike, Jens Stoltenberg. Më pas ky i fundit, së bashku me Presidentin e Lituanisë, kanë pritur të gjithë pjesëmarrësit në samit, shoqëruar me foto zyrtare me secilin prej tyre.

Një prej liderëve të pranishëm në këtë samit, është dhe Kryeministri Edi Rama, i cili është përshëndetur me Stoltenberg dhe Gitanas Nauseda.

Pas përshëndetjes individuale të çdo lideri të vendeve anëtare të NATO-s me Stoltenberg dhe presidentin e Lituanisë, ata kanë realizuar dhe foton zyrtare të samitit.

Në Samitin e NATO-s, janë të pranishëm edhe Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka.

Sakaq, në orën 14:00 do të mbahet takimi i Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive, me Suedinë. Më pas në orën 17:10 nënshkruhet deklarata e bashkëpunimit në hapësirën ajrore midis Estonisë, Letonisë, Lituanisë.

Në orën 17:30 do të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Atlantikut të Veriut, në nivel ministrash të jashtëm dhe në orën 18:00 mbledhja në nivel ministrash të mbrojtjes.

Dita e parë e samitit dy ditor në Vilnius, përmbyllet me darkën sociale të krerëve të vendeve anëtare të NATO-s e organizuar nga Presidenti i Lituanisë në orën 19:00 dhe një orë më vonë me darkën që do të shtrohet në Pallatin e Dukës së Madh të Lituanisë për Ministrat e Jashtëm dhe Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të aleancës Trans-Atlantike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›