E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Çështja “Beleri”/ Kryeministri Rama takohet sot në Lituani me homologun grek

Gazetarja Denada Shkodrani e cila po ndjek nga afër punimet për samitin e NATO-s në Vilnius, të Lituanisë, bëri me dije për RTSH 24 se Kryeministri Edi Rama do të takohet këtë të martë me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis, ku në fokus të bisedës do të jetë çështja “Beleri”.

Takimi do të mbahet në orën 16:00, dhe pas takimit, dy liderët do të mbajnë një deklaratë të përbashkët për media. Rama dhe Mitsotakis  ndodhen në Lituani për samitin dy ditor të NATO-s.

“Rreth orës 16:00 kryeministri Edi Rama do ketë një takim dypalësh me homologun e tij, Mitsotakis. Ka patur disa deklarata me tone pak më të ngritura javët e fundit në lidhje me arrestimin e kryetarit të zgjedhur të Himarës”, tha Shkodrani.

Gazetarja bëri me dije gjithashtu, se në mbledhjen e parë si anëtare e NATO-s, Suedia është vendosur krah Shqipërisë. Ajo tha se mbështetja ushtarake për Ukrainën do të jetë gjithashtu kryefjalë e samitit ndërsa shtoi se pritet që këtij samiti t’i bashkohet edhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Pak minuta më herët nisi mbledhja e Këshillit të Atlantikut. Suedia është vendosur në krah të Shqipërisë në mbledhjen e parë si anëtare e saj në NATO. Pati duartrokitje për këtë zhbllokim të situatës.

Në këtë mënyrë, 31 vendet anëtare të NATO-s pritet t’i shtohet edhe Suedia, por në rrugët e Vilnius shënohet numri 33 krahas emërtimit të NATO-s pasi pritet që sa më shpejt të ecë rrugëtimi drejt aleancëxs edhe për Ukrainën.

Nëse Ukraina do anëtarësohej në NATO, atëherë aleanca do aktivizonte amendamentin nr.5 të saj.

Ndërkaq në samit, të gjitha vendet e NATO-s angazhohen për një mbështetje më të madhe ushtarake për Ukrainën.

Gjithashtu një tjetër angazhim i këtij samiti pritet të jetë të gjitha vendet që janë pjesë e NATO-s të përmbushin detyrimin që 2 % e prodhimit të brendshëm bruto të kalojë për mbrojtjen në kuadër të kësaj aleance.

Një tjetër çështje diskutimi është dhe bashkëpunimi i vendeve dhe veçanërisht për çështjet e sigurisë.

Ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm do të bashkohen pak më vonë në tryezat e punës respektive për të diskutuar për çështje specifike”, u shpreh gazetarja Shkodrani.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›