Tropojë, tritol makinës së djalit të kryeplakut të Lekbibajt
Nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale, ndërsa nga hetimet e para dyshohet se lënda shpërthyese mund t’i jetë vënë të riut si kërcënim ndaj të atit
TROPOJË Një sasi e madhe tritoli ka shpërthyer mbrëmjen e dy ditëve më parë në një fshat të Tropojës, e cila ishte vendosur poshtë një makine. Mjeti ishte në pronësi të djalit të kryetarit të komunës së Lekbibajt, Lulash Markut, ndërsa nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale. Nga hetimet e para dyshohet se vënia e sasisë së tritolit mund të jetë bërë si kërcënim ndaj kryetarit të komunës, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e një konflikti që vetë i riu Fatjon Marku mund të ketë pasur më parë. Fshati është 2 km larg qendrës së komunës dhe është ndër fshatrat më të thellë në zonë, saqë dhe policisë i duhen orë të tëra për të mbërritur në vendngjarje.
Shpërthimi
Një sasi e madhe eksplozivi, e cila pasi ka shpërthyer, ka shkatërruar plotësisht një automjet tip kamionçinë me targa KS 03431 Br, në pronësi të 23-vjeçarit Fatjon Marku nga fshati Markaj, komuna Lekbibaj. Në momentin e shpërthimit makina ndodhej në aksin rrugor Fierzë-Lekbibaj. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Tropojës mësohet se rreth orës 22:20 të mbrëmjes së dy ditëve më parë, fqinjët e Markut kanë njoftuar uniformat blu për shpërthimin e “Wolkswagen”-it, i cili ndodhej i parkuar 40 metra larg banesës. Edhe pse shpërthimi ka qenë i fuqishëm, fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz, por vala shpërthyese ka dëmtuar edhe makinën e kushëririt të Markut, e cila ndodhej pranë saj.
Hetimi
Forcat e policisë janë nisur për në vendngjarje, por ende nuk ka një autor të identifikuar. Xhenierët më të specializuar të ardhur nga Tirana po shqyrtojnë mënyrën e vendosjes së lëndës shpërthyese, ndërkohë që policia njoftoi se nuk ka asnjë të ndaluar apo të shoqëruar për ngjarjen. Në vendngjarje kanë shkuar dhe specialistë të drejtorisë së policisë së Kukësit të cilët kanë marrë në pyetje në cilësi e dëshmitarit, familjarë dhe të afërm dhe po hetohet për ndonjë konflikt të mundshëm të Markut me ndonjë person tjetër të zonë apo komunës së thellë, e cila vazhdimisht ka patur ngjarje të rënda. Por nuk përjashtohet mundësia që tritoli ti jetë vendosur makinës së të birit në shenjë kërcënimi ndaj të atit.