E Shtunë, 31 Tetor 2026

Certifikata e pronës, ryshfeti 35 mijë euro

• Prokuroria dokumenton ryshfetin e tre regjistruesve të Hipotekës së Tiranës të arrestuar me akuzat e korrupsionit aktiv dhe pasiv të personave që kryejnë funksione publike.Trazhgim Sokolaj Një certifikatë pronësie 35 mijë euro, ky ka qenë "pazari" më i lartë i vendosur nga të arrestuarit ndaj një qytetari nga Tirana. Qytetari kërkonte regjistrimin e pronës dhe marrjen e certifikatës së pronësisë, por pritja e gjatë dhe burokracitë e zyrave të Hipotekës e kanë detyruar të tentojë në rrugë të tjera zgjidhjen sa më shpejt të problemit të tij. Në këto kushte, ndihma është ofruar nga Veiz Senko, i cili ka dalë garant se prona do të regjistrohej në kohë rekord. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat pohuan dje për gazetën "Panorama", se marrja e ryshfetit nga regjistruesit e arrestuar Artan Mehmeti, Ramiz Hykaj dhe Enton Babameto, është dokumentuar me prova materiale. Sipas burimeve zyrtare nga hetimi, mësohet se personi lidhës mes qytetarit dhe tre regjistruesve të Hipotekës, ka qenë Veiz Senko, 55 vjeç, lindur në Gramsh dhe banues në Tiranë. Ai mësohet se ka marrë paratë në dorëzim nga qytetari dhe më pas i ka dorëzuar ato tek tre regjistruesit e Hipotekës, të cilët ranë në pranga vetëm pak ditë pasi përvetësuan shumën prej 30 mijë euro, pasi 5 mijë prej tyre dyshohet se janë mbajtur nga sekseri. Burimet nga organi i akuzës konfirmuan se të arrestuarit kanë marrë ryshfet edhe në raste të tjera, por shumat e përfituara prej tyre kanë qenë më të vogla sesa 35 mijë euro. Hetimet kanë saktësuar se oficeri i policisë, Dali Hakorja, i ndaluar në të njëjtën kohë me arrestimin e regjistruesve, nuk kishte paguar ryshfet, edhe pse kishte arritur të regjistronte në emër të tij 14 dynymë tokë në afërsi të ish-parkut të autobusëve në Tiranë. Oficeri ra në pranga pasi dyshohet se përdori dokumente false për regjistrimin e pronës.Abuzimet me pronatNjësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës prej gjashtë muajve ka hetuar abuzimet e regjistruesve të Hipotekës dhe bashkëpunimin e tyre me sekserët që bënin lidhjen me qytetarët e interesuar për regjistrimin e pronave. Burime zyrtare të akuzës konfirmuan se disa regjistrime të kryera nga të arrestuarit kanë qenë të rregullta, por janë kryer përmes marrjes së shumave të ndryshme të ryshfetit. Thelbi i hetimit, në fakt, sipas burimeve, nuk është mënyra se si janë regjistruar pronat nga inspektorët e arrestuar të Hipotekës. Objekti kryesor i hetimit, siç saktësuan burimet, janë veprimet korruptive dhe shumat e ryshfetit që kanë marrë të arrestuarit nëpërmjet ndërmjetësve të tyre që identifikonin qytetarët e interesuar. Në këtë drejtim duket se Prokuroria ka siguruar prova të forta, pasi edhe Gjykata e Tiranës miratoi mbajtjen në burg për të gjithë personat e arrestuar gjatë aksionit të koduar me emrin "Furtuna". Më shumë se 13 qytetarë, sipas hetimeve të Prokurorisë, kanë hyrë në komunikim me sekserët Veiz Senko dhe Halil Hima. Ata kanë siguruar dokumente false për pronat që kërkonin të hidhnin në emrin e tyre dhe më pas i kanë paraqitur ato në zyrat e Hipotekës. Në këto 13 raste qytetarët që kanë paguar ryshfet tek sekserët kanë qenë të privilegjuar, pasi pronat e tyre janë regjistruar me shpejtësi dhe ata kanë marrë certifikatat e pronësisë në një kohë të shkurtër, pasi kishin paguar shumat e ryshfetit të kërkuara nga sekserët. Këta të fundit, para se të përcaktonin shumën që duhej të paguante qytetari, komunikonin me regjistruesit e Hipotekës dhe përcaktonin bashkërisht shumën që do të kërkohej. Të arrestuarSpecialistët e HipotekësArtan Mehmeti,             41 vjeçRamiz Hykaj,             42 vjeçEnton Babameto,             33 vjeçSekserë/FalsifikimeVeiz Senko,                 55 vjeçHalil Hima,                 47 vjeçNdaluarDali Hakorja,                 52 vjeçOficer policie

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›