Gjykata: Abuzimet në Hipotekë, burg gjashtë të arrestuarve
• TIRANE - "Nuk ka njeri në Tiranë që të mos e dijë që unë jam pronar i sipërfaqes prej 14 mijë metër katrorë tek ish-parku i autobusëve.Këtë sipërfaqe e kam trashëguar nga im atë, i cili e ka blerë dikur me flori". Këto ishin argumentet me të cilat 52-vjeçari Dali Hakorja, oficer i policisë, u mbrojt dje para gjyqtarit të gatshëm të kësaj jave në kryeqytet nga akuzat "falsifikim të formularëve, stampave dhe vulave" dhe "ushtrim të ndikimit të paligjshëm te persona që ushtrojnë funksione publike". Duke vazhduar ai tha se të gjitha dokumentet që i ishin kapur për pronën ishin të tijat dhe se asnjë nuk ishte false. Duke pranuar faktin se në pronën e tij kishte mbivendosje, 52-vjeçari Hakorja tha se kjo përbënte konflikt civil dhe jo penal. Ndërsa 47-vjeçari Halil Hima, i akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe "korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike", pranoi se dokumentet që i ishin kapur në makinë ishin të tijat dhe se asnjë prej tyre nuk ishte fals. Ndërkohë, katër të pandehurit e tjerë; tre specialistët e Hipotekës, Artan Mehmeti, 41 vjeç; Ramiz Hykaj, 42 vjeç dhe Enton Babameto, 33 vjeç dhe 55-vjeçari Veiz Senko i akuzuar, thjesht u njohën me masën e sigurisë që gjykata kishte vendosur në mungesë për ta. Gjatë seancës së masës së sigurisë, prokuroria nxori si fakt të ri deklarimet që kishte dhënë pas arrestimit 55-vjeçari Senko. Sipas prokurorit që kishte drejtuar hetimet paraprake, Senko kishte pohuar se kishte dijeni të plota për falsifikimin e pronësisë së sipërfaqes 14 mijë metër katrorë dhe se me dëshminë e vet ai ka sqaruar pozicionin e të gjithë të pandehurve të tjerë në krim. Por dje para gjykatës ai pohoi se të gjitha deklarimet i kishte dhënë nën presion dhe se gjatë marrjes në pyetje përfaqësuesit e akuzës i kishin premtuar se do ta lironin nëse ai pranonte të firmoste atë çka ata kishin shkruar. Duke argumentuar këtë dhe duke pretenduar se vuante nga një kompleks sëmundjesh të zemrës, ai e la në çmim të gjykatës masën e sigurisë. Pasi dëgjuan kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e masës së sigurisë "arrest në burg" për të pandehurit e operacionit "Furtuna", dhe pretendimet e avokatëve për lirimin e tyre, gjykata vendosi t'i linte në qeli deri në përfundim të hetimeve të akuzuarit. fa.ma.