Certifikatat, bllokohet procesi i shpërndarjes në Vlorë
Rreth 100 mijë certifikata rezultojnë të pavlefshme për shkak të lagështirës, duke prishur edhe printerat
VLORË - Marrja e një certifikate për një pjesë të qytetarëve po kthehet në një mision të pamundur. Prej disa ditësh në zyrat e gjendjes civile të qytetit të Vlorës ka problematika në lidhje me letërnjoftimin.
Më i dukshëm ky problem është në zyrën e rajonit 3, që është edhe rajoni më i madh i qytetit, ku puna është bllokuar tërësisht për shkak të prishjes së printerit. Përgjegjësja e gjendjes civile, Nereida Leka, pohon se kjo situatë vijon prej javës së kaluar.
Sipas saj, ka qenë cilësia e keqe e letrës së certifikatave ajo që ka ndikuar edhe në prishjen e printerit, duke riskuar të prishen edhe printerat e tjerë. "Jo vetëm rajoni 3 ka probleme.
Edhe në rajonet e tjerë certifikatat po na dalin jashtë përdorimit", thotë Leka, duke treguar një sasi të mëdha certifikatash të printuara e më pas të hedhura në koshin e plehrave.
Sipas përgjegjëses, është komunikuar me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe kjo e fundit u ka përcjellë njoftimin se ndoshta fletët e certifikatave kanë lagështirë dhe problemi është i zgjidhshëm, pasi ato mund të thahen. Por duket se kjo nuk ka dhënë asnjë rezultat, pasi edhe duke u lënë për t'u tharë, printimi i certifikatave ka qenë me probleme.
"Kemi bërë disa testime, duke krijuar kushtet të thahen certifikatat, por na ka rezultuar se është cilësia e tyre ajo që ndikon për keq. Kemi njoftuar organet përkatëse, por kjo po kthehet në një shqetësim të vërtetë, pasi kërkesat për certifikata kanë qenë në rritje",- thekson përgjegjësja e gjendjes civile.
Në pamundësi për të dhënë një zgjidhje përfundimtare, Leka u ka bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim, ndërsa ka kërkuar ndihmë për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë.
Gjithsesi, ende nuk është gjetur një zgjidhje përfundimtare dhe shumë qytetarë po pengohen për të marrë dokumentin, shqetësim ky që po shtohet dita-ditës. Nga ana e zyrave të gjendjes civile në Vlorë, i është dërguar gjithë informacioni përkatës Prefekturës së Vlorës dhe Drejtorisë së Gjendjes Civile dhe po pritet si do të veprohet për të zhbllokuar situatën.
Bëhet fjalë për një sasi të madhe të mbërritur me këto certifikata, mbi 100 mijë copë, të cilat janë parashikuar të shpërndahen për këtë vit. Qytetarët kanë përcjellë shqetësimin për këtë situatë, sidomos ata persona të cilëve certifikatat u duhen për në konsullata apo kanë nevoja emergjente. Disa prej tyre janë shprehur të indinjuar për mosfunksionimin e shtetit dhe njësive të tij, që po i lë të sorrollaten për një certifikatë.