E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulet mosha e pensionit për minatorët

Qeveria miraton vendimin që i lejon punonjësit e nëntokës që të dalin në pension në moshën 60- vjeç


TIRANË- Mosha e daljes në pension të minatorëve do të ulet me pesë vite. Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin sipas të cilit, punonjësit e nëntokës do të mund të përfitojnë pensionin sapo të mbushin moshën 60- vjeçare, ndërkohë që deri më tani, këtyre te fundit iu njihej e drejta e përfitimit të tij vetëm pasi të kishin mbushur të 65 vjeç.


"Kjo shndërron në realitet një premtim të Qeverisë ndaj minatorëve, të cilët tashmë nuk do të dalin më 65 vjeç në pension, por kur të mbushin 60 vjeç. Ne duhet të jemi realistë. Ata kanë qenë njerëzit që kanë kontribuar në të ardhurat kombëtare më shumë dhe që kanë marrë më pak.


Tani është koha që pensionet e tyre të rivlerësohen, në mënyrë që edhe ata të ndjejnë qëndrim të ri ndaj tyre" u shpreh ai duke theksuar se, u ka kërkuar ministrave përgjegjës që të rishohin skemën për pensionet e minatorëve. Më tej Berisha shtoi se, Ministrisë së Financave i është dërguar një udhëzim me subjekt paraqitjen e skemës së rritjes së pensioneve për minatorët.


Prej muajsh minatorë nga i gjithë vendi kanë rendur nëpër dyert e dikastereve përgjegjëse ku me anë të protestave kanë kërkuar uljen e moshës së daljes në pension, dhënien e statusit të minatorit dhe përmirësimin e kushteve të punës nëpër galeri. Pas plotësimit të njërës nga kërkesat e minatorëve mbeten për tu përmbushur dhënia e statusit dhe përmirësimi i kushteve të punës.

---------------------------------------------------------------------------------------------------------

Bizneseve t'iu rimbursohet TVSH, në të kundërt s'paguajnë taksat


TIRANË- Bizneset kanë të drejtë që të mos paguajnë asnjë taksë nëse TVSH-ja nuk iu rimbursohet brenda 30 ditëve nisur nga data kur është bërë kërkesa. Këshilli i Ministrave miratoi dje një vendim, sipas të cilit TVSH-ja duhet t'iu paguhet në afat bizneseve ose në të kundërt ata lirohen nga detyrimet e tjera.


"TVSH-ja të rimbursohet brenda një muaji. Në rast se brenda një muaji autoriteti tatimor nuk ka rimbursuar TVSH-në, sipërmarrësit i lind automatikisht e drejta për të mos derdhur taksat e tjera.


Ai do të mbushë formularin, do ta nisë, por nuk do të derdhë gjë gjer në shumën e TVSH-së. Pra, nis përfitimi i saj",- tha dje kryeministri Berisha. Sipas tij, kemi të bëjmë me një rast ku "heshtja, është pranim", që do të thotë se nëse organet përkatëse heshtin dhe nuk realizojnë punën e tyre, ata që përfitojnë janë pronarët e bizneseve të ndryshme.


Një tjetër çështje e konsideruar si e rëndësishme nga kryeministri, ishte finalizimi i projekt-buxhetit për vitin 2010 deri në fund të muajit korrik. Por, sipas tij, ndarja e fondeve duhet të bëhet në mënyrë të kujdesshme dhe të ulen me 10% shpenzimet operative.


Berisha kërkoi shmangien e fenomenit fragmentarizim i fondeve, pasi ato ulin produktivitetin në investimet dhe punët e kryera të qeverisë, duke i bërë ato të pandjeshme.


Nëpërmjet kësaj kërkese, kryeministri i thotë "jo" investimit të pjesshëm në sektorë të veçantë, duke i hapur rrugën kështu realizimit të plotë të një investimi të nisur. Ministria e Financave do të jetë ajo që do të kontrollojë ndarjen fondeve dhe realizimin e projekt-buxhetit, por do të mbajë edhe peshën e të qenit në koherencë me çdo veprimtari financiare të ministrive të kabinetit qeveritar.

------------------------------------------------------------------


Shpenzimet që i mbulohen oficerëve të kontaktit

TIRANË- Qeveria do të mbulojë me fondet e buxhetit të shtetit shpenzimet e punonjësve shqiptarë, që shërbejnë si oficerë kontakti pranë Ministrive të Brendshme të shteteve të ndryshme, të atashuar në përfaqësitë diplomatike të vendit tonë.


Në listën e shpenzimeve që parashikohet të mbulohen përfshihen, udhëtimet jashtë shtetit, dietat, siguracionet shëndetësore për familjarët, shpenzimet për karburant, ato për zyrën, qiranë e apartamentit dhe harxhimet në gaz apo energji elektrike, për telefoninë, etj.


Kështu, kur oficeri i kontaktit dërgohet me shërbim jashtë shtetit ose kur vjen në atdhe, ndërkohë që në shtetin ku kryen detyrën ka lënë bashkëshorten dhe fëmijët, merr 100 për qind të trajtimit financiar, të dhënë për përkujdesje ndaj familjes së tij.


Gjithashtu, në rastet kur ky i fundit shtrohet për kurim në institucionet shëndetësore të shtetit, ku kryen detyrën, ose në ndonjë shtet tjetër, ai vazhdon ta përfitojë pagesën përkatëse dhe trajtimin financiar, të dhënë për përkujdesjen ndaj familjes që e shoqëron.


Referuar vendimit të djeshëm të qeverisë, oficeri i kontaktit vazhdon ta përfitojë pagesën përkatëse dhe trajtimin financiar, të dhënë për përkujdesjen ndaj familjes edhe kur shtrohet për kurim në shtetin ku kryen detyrën apo në ndonjë shtet tjetër.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›