E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokle: PD manipuloi në qendrat private të votimit

Kandidati i PS-së për Qarkun e Tiranës, Namik Dokle, denoncoi dje raste të manipulimit të votës


TIRANË- Kandidati i PS-së për Qarkun e Tiranës, Namik Dokle, ka deklaruar dje se vullneti i qytetarëve është manipuluar, përmes vendosjes së KZAZ-ve në ambiente private.


Duke iu referuar Kodit Zgjedhor, ku përcaktohej se qendrat e votimit, selitë e KZAZ-ve dhe VNV-ve, nuk mund të ngrihen në ndërtesa, që përdoren apo janë në pronësi të një partie politike, kandidati ose të afërmve të tij, Dokle ka denoncuar dje përcaktimin në këto vende nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në 92 raste.


"Nisur nga ky përcaktim i Kodit Zgjedhor, Partia Socialiste ka denoncuar dhe ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndryshimin e vendndodhjes së qendrave të votimit në 92 raste.


Nga të gjitha këto, vetëm në Qarkun e Tiranës ishin 27 qendra votimi në lokale të militantëve apo drejtuesve lokalë të Partisë Demokratike. Shumica e tyre ishin në zonat periferike të Tiranës dhe 19 prej të tyre ishin në ZAZ-në 56 të Kamzës dhe Bathores.


Komisioni i kësaj ZAZ-je, në mbledhjen e tij më datë 14 qershor 2009, me shumicë votash kundërshtoi vendimin nr. 51, datë 8 qershor 2009, të Kryetarit të Bashkisë së Kamzës, për vendosjen e qendrave të votimit. Për këtë kundërshtim votoi edhe përfaqësuesi i PR-së, në këtë KZAZ, zoti Zenel Muka, të cilit më pas iu bënë presione dhe kërcënime.


Por, më të keqen e bëri KQZ-ja, më saktë pjesa e detashmentit politik të Sali Berishës, e cila nuk mori në konsideratë këtë ankesë dhe kërkesë së shumicës së komisionit të zonës administrative zgjedhore nr 56",- tha Dokle.


Kandidati i PS-së për Qarkun e Tiranës theksoi se, në këto zona pati presione të shumta mbi komisionerët dhe votuesit, gjë që deformoi në shumë raste vullnetin real të zgjedhësve. "Në 19 prej këtyre qendrave në Kamzë, rezultati ka qenë -3926 vota, pra plus për PD-në, ndërkohë që në qendrat e votimit të vendosura në lokale publike, ka qenë një rezultat i ekuilibruar ose në favor të PS-së.


Për shembull, në qendrat e votimit të qytetit të Kamzës, në 6 qendra votimi të vendosura në lokale private, diferenca ishte 1156 vota në favor të PD-së, ndërsa në 6 qendra votimi të vendosura në mjedise publike, rezultati ishte 134 vota në favor të PS-së.


Në 6 qendra private, PD-ja ka marrë më pak se sa në 11 qendra votimi publike, çka tregon se në këto qendra votimi në lokale private, me militant të PD-së, janë bërë manipulime të shumta",- tha ai.


Lidhur më këto probleme, Dokle shtoi se është njohur edhe komuniteti ndërkombëtar, OSBE-ja, vëzhguesit e ODIHR-it, ku PS-ja ka kërkuar që të merren masa. PS-ja do të kërkojë që në këto qendra votimi, të bëhet rishikimi i të gjitha fletëve, i listave, nr. të pasaportave e kartave të identitetit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›