E Shtunë, 31 Tetor 2026

Certifikohen për rezultate të larta 16 ushtarakë

Kjo stërvitje u zhvillua nga data 3 deri më 9 qershor 2012 në Maqedoni, rreth 50 kilometra larg kufirit me Greqinë dhe morën pjesë trupa të Forca Speciale nga 9 shtete ballkanike.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi në fjalën e tij përshëndetëse, pasi përgëzoi trupat pjesëmarrëse për rezultatet e larta të arritura në stërvitjen e përbashkët B-9 CJSE të Forcave Speciale të vendeve të Ballkanit, theksoi:

“Kam ardhur gjithnjë me dëshirë mes jush për të uruar fillimet apo mbarimet e stërvitjeve, për t’u përcjellë në misione jashtë vendit, apo për t’u pritur kur jeni kthyer krenar nga detyrat, për të ndarë me ju kënaqësinë e arritjeve dhe rezultateve të larta në përmbushjen e misionit dhe detyrave. Ndërsa sot jam këtu për të treguar se e vlerësoj lart punën e ushtarakëve pjesëmarrës në këtë stërvitje, e cila është iniciativë e shefave të Shtabit të vendeve Ballkanit, në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”.

Duke  vlerësuar performancën e lartë, përgatitjen serioze, disiplinën dhe përkushtimin që ushtarakët tanë treguan në të gjitha aspektet e kësaj stërvitjeje të përbashkët, duke përfaqësuar me dinjitet dhe nivel të lartë si  Forcat Speciale ashtu dhe Forcat e Armatosura Shqiptare, gjeneralmajor Gjunkshi u shpreh: ”Paraqitja dhe rezultatet tuaja në këtë aktivitet janë pjesë e pandarë e punës që bëhet në Forcat tona të Armatosura për t’u përgatitur dhe stërvitur çdo ditë, për të vepruar si partnerë të denjë në mbështetje të paqes në Afganistan e kudo në botë, apo për të përballuar edhe rastet e emergjencave civile në ndihmë të popullsisë”.

Qëllimi i stërvitjes së përbashkët B-9 CJSE ishte rritja dhe forcimi i bashkëpunimit mes Forcave Speciale të vendeve të Ballkanit në shërbim të forcimit të stabilitetit në rajon. Grupi i forcave tona speciale pjesëmarrëse në këtë stërvitje përbëhej  nga 12 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionistë të Batalionit të Forcave Speciale, si dhe 4 oficerë shtabi të këtij batalioni. Në këtë stërvitje, në programin e së cilës përfshiheshin nje varg veprimesh ushtarake, duke përshirë që nga planëzimi e deri tek qitjet më snajper në distanca të ndryshme, ekipi shqiptarë bëri një paraqitje të jashtëzakonshme, duke demonstruar disiplinë, aftësi dhe profesionalizëm të lartë dhe duke marrë vlerësime maksimale për realizimin e detyrave sipas standardeve të kërkuara. /Start/

                                                                                             2012-06-18 17:31
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›