E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cërvenkovski, i gatshëm të ballafaqohet me Gruevskin

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, deklaroi se është i gatshëm të ballafaqohet në zgjedhje me kryeministrin aktual Nikolla Gruevski. “Do t`ia plotësoj dëshirën, por jo në zgjedhjet presidenciale, por ato parlamentare. Do të ballafaqohemi në zgjedhjet parlamentare kurdo që do të mbahen. Ju premtoj se beteja e vërtetë politike do të fillojë”, - theksoi Cërvenkovski. Kryeministri Nikolla Gruevski kohë më parë i bëri thirrje publike presidentit që të përballet në garën presidenciale që do të mbahet vitin e ardhshëm. Cërvenkovski paralajmëroi se pas përfundimit të mandatit të tij presidencial do t`u kthehet radhëve të partisë tij, për të afirmuar atë, por duke nënvizuar se nuk do të kushtëzojë kthimin e tij me pozicionin e liderit të partisë. Cërvenkovski theksoi se normalizimi i demokracisë parlamentare ka qenë motivi i vërtetë për amnistimin e nënkryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, dhe mosfirmosjen e 6 ligjeve të miratuara nga mazhoranca. Ai tha se që nga 10 prilli në Maqedoni nuk funksionoi dialogu politik mes pushtetit dhe opozitës, që është kriter i domosdoshëm për integrimin e Maqedonisë.
Ky lajm është publikuar: 15/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›