E Diel, 1 Nëntor 2026

Ceshtja “Klodi”, Withers-Borchard apel nga Lezha

LEZHË-Cështja “Klodi”, djalit që shprehu prirjet e tij homoseksuale gjatë një reality shou ka sjellë sot reagimin e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Gjermanisë në Shqipëri, John Withers dhe Bernd Borchardt. Ambasadorët e SHBA dhe të Gjermanisë bashkëbiseduan sot në Lezhë me përfaqësues të parlamentit rinor të këtij qyteti lidhur me të drejtat dhe liritë e njeriut.

Diplomatët e huaj, mbështetën gjatë takimit familjen lezhiane Çela duke vlerësuar kurajon e Klodianit, djalit të tyre, një i ri që deklaroi publikisht homoseksualitetin e tij.
Withers
Ambasadori i SHBA, John Withers, tha në fjalën e tij se shkas i bashkëbisedimit me të rinjtë dhe autoritetet vendore është bërë ngjarja e përcjellë publikisht për të riun lezhjan që deklaroi homoseksualitetin e tij, çka disa ditë më vonë u mbështet edhe nga e ëma dhe familja e tij kurajoze. 
Withers tha se ligji shqiptar i miratuar kohët e fundit i mbron të drejtat e njeriut dhe mbështet të jetuarit e lirë të të gjitha pakicave Ai kujtoi shqetësimin e drejtë që u krijuan shqiptarëve thirrjet diskriminuese të një grupi ushtarakësh grekë në Athinë. "Edhe ne e mbështetëm këtë shqetësim, pasi asnjë formë diskriminimi nuk është e pranueshme", tha Ambasadori Withers.
Duke folur për rastin e familjes Çela, e cila disa ditë më parë është larguar nga Lezha, pasi, sipas familjarëve, është bërë pre e presionit negative të disa të rinjve, Ambasadori Withers nënvizoi se "jemi këtu për të shprehur mbështetjen tonë për këtë familje dhe vetë Klodin, të cilët kanë të drejtën ligjore dhe morale të ecin pa droje në qytet".
Bochardt
Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Bernd Bochardt, theksoi se Shqipëria ka një imazh mjaft të mirë lidhur me mbrojtjen e pakicave dhe komuniteteve të vogla fetare apo kombëtare. "Edhe ligji shqiptar tashmë i ka marrë në mbrojtje pakicat dhe kjo është mjaft pozitive. Shqiptarët vetë janë pakicë në një numër të madh shtetesh fqinje apo aty ku ata kanë emigruar dhe ankesat e tyre për diskriminimin janë të përligjura, duke na indinjuar edhe ne", tha z. Bochardt, i cili shtoi se "të njëjtën indinjatë ndjej edhe kur diskriminohet një pakicë seksuale", pasi, sipas tij, respekti dhe toleranca për pakicat etnike, fetare apo seksuale, do ta bëjë shoqërinë shqiptare më të larmishme, më dinamike dhe të mirëorientuar ndaj së ardhmes.
Nena e Klodit
Nëna e djaloshit nga Lezha, Lumturi Çela, pasi falenderoi diplomatët e huaj kërkoi mbështetjen e organeve të pushtetit vendor si dhe të opinionit qytetar. "Familja ime jeton këtu që nga viti 1969", tha ajo, duke theksuar se megjithëse e ka mësuar homoseksualitetin e të birit përmes TV, e ka mbështetur atë, njëlloj siç duhet të bëjnë edhe nënat e tjera në raste të ngjashme.
Të rinjtë, autoritetet vendore si dhe përfaqësuesit e organizatave të të drejtave të njeriut, shprehën mendime të ndryshme lidhur me rastin që shkaktoi disa javë më parë edhe një protestë të një grupi të rinjsh lezhjanë. Prefekti Pal Dajçi dhe drejtues të policisë garantuan respektin dhe jetesën normale të familjes Çela. Ndërkohë, znj. Elsa Ballauri, përfaqësuese e shoqatave në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut, theksoi domosdoshmërinë e takimeve të hapura informuese ku të diskutohen çështje të tilla.

Protestat ne Lezhe, familja le Lezhen
Reagimi erdhi një ditë pasi familja e Klodian Celës vendosi të largohet nga Lezha, pas protestave të vazhdueshme dhe presionit të qytetarëve të Lezhës që prej ditës kur djali i tyre Klodi deklaroi hapur në një shoë televiziv prirjet e tij seksuale. Sic janë shprehur qëndrimi në Lezhë mes presioneve ka qenë i pamundur.

Ndërkohë dje, ka reaguar për largimin e nënës së Klodit dhe motrës së tij nga Lezha edhe shoqata LGBT PRO Shqipëri, duke e quajtur një Turp faktin që edhe pas protestave të vazhdueshme në Lezhë, qeveria nuk mori masa për të mbrojtur familjen e Klodian Celës.

Menjëherë pas deklaratës së Klodian Celës i cili pohoi homoseksualitetin e tij në një reality shoë, të rinj lezhianë protestuan për disa ditë me radhë duke kërkuar daljen e Klodit nga spektakli televiziv e duke përsëritur thirrje raciste ndaj homoseksualizmit.

Thirrjet raciste kanë shkuar deri në atë pikë sa protestuesit kanë mohuar madje dhe origjinën e Klodit, me arsyetimin se djemtë e Lezhës apo shqiptarët nuk kanë të tillë moral.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›