Cez nis ndërprerjen e energjisë për debitorët
Kompania CEZ Shpërndarja, ka nisur dje prerjen e energjisë elektrike për të gjithë debitorët. Pikërisht data e djeshme, ishte edhe përfundimi i afatit që CEZ ju kishte vënë gjithë debitorëve për të shlyer detyrimit në të kundër atyre do tu pritej energjia elektrike. Sipas njoftimit të CEZ, aksioni i prerjes së energjisë do të përfshijë të gjitha institucionet buxhetore dhe jobuxhetore, ndërkohë që prerje të energjisë elektrike do të ketë edhe për zyrat administrative të ujësjellësve që nuk kanë paguar energjinë elektrike.
Debitorët
Sipas CEZ Shpërndarje, në total detyrimi i të gjithave subjekteve kundrejt CEZ, pa përfshirë kamat-vonesat, llogaritet në rreth 65 milionë dollarë. Më konkretisht, rezulton se 3.194.110.831 lekë janë borxhe nga institucionet buxhetore, ndërsa 3.543.436.820 lekë janë borxhe nga institucionet jobuxhetore, borxhe këto të akumuluara që prej vitit 2007. Ndërkohë, CEZ Shpërndarje ka bërë publike dhe listën e debitorëve, ku vendi i parë zihet nga kompania Albpetrol me një total prej 652.042.642 lekësh, i pasuar më pas nga Ujësjellësi i Durrësit me 468.000.718 lekë dhe nga Ujësjellësi i Vlorës me 395.577.650 lekë borxhe të pashlyera. Në listën e debitorëve të CEZ Shpërndarje bie në sy fakti se pothuajse të gjithë ujësjellësit e qyteteve të Shqipërisë janë debitorë, ndërkohë që edhe vetë Koorportata Elektorenergjitike e Shqipërisë është debitore e CEZ Shpërndarje. Më konkretisht, KESH Fier dhe KESH Tirana. Në listën e 140 debitorëve më të mëdhenj renditen dhe disa bashki të vendit, si dhe Shërbimi Informativ Ushtarak, i cili ka një borxh të papaguar që kap shifrën e 5.950.288 lekësh. Po ashtu, debitorë rezultojnë dhe disa spitale të vendit, mes të cilëve dhe Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza.