Kukësi shkruan historinë, kalon në play off për UEFA
Kukësi bën mrekullinë. Nënkampionët e Shqipërisë kanë arritur të kualifikohen për në turin e play off të Europa League, duke arritur kështu një rezultat historik për ekipet shqiptare. Pavarësisht humbjes, 1 me 0 në Ukrainë, Kukësi kalon më tej falë rezultatit të ndeshjes së parë në Qemal Stafa. Djemtë e drejtuar nga Armando Cungu kalojnë kështu në turin e play off, duke ju afruar edhe më tej ëndrrës për të qenë pjesë e fazës së grupeve të Europa League.
Ndeshja
Nënkampionët e Shqipërisë arritën të mbrohen mjaftë mirë për gjatë gjithë takimit duke mos lejuar kundërshtarin për tu afruar portës së portierit Halili. Në minutën e 27 të takimit, ekipi i Metalurg arriti të gjente golin me anë të Dimitrov. Me vendasit në sulm u mbyll edhe pjesa e parë e takimit. Edhe pjesa e dytë ishte fotokopje e asaj të parës me ukrainasit që sulmonin ndërsa lojtarët e Kukësit, mundoheshin të largonin topin. Gjërat do të vështirësoheshin akoma dhe më shumë kur, Malindi do të linte skuadrën me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të marrë në minutën e 74 të takimit. Por me gjithë presionin e vendasve djemtë e Armando Cungut arritën të rezistojnë duke siguruar edhe kualifikimin për në turin play off të Europa League. Në rast kalimi edhe të këtij turi, atëherë ekipi i Kukësit do të jetë pjesë e fazës së grupeve për Europa League. Është hera e parë që një ekip shqiptar arrinë deri në këtë tur evropian.