E Shtunë, 31 Tetor 2026

Champagne, avokat i FFK-së

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) po e shqyrton mundësinë e angazhimit të Jerome Champagne në rolin e avokatit të saj, për ta përshpejtuar procesin e inkuadrimit të FFK-së në FIFA e UEFA.

Champagne deri para pak kohësh ka qenë drejtor për marrëdhënie ndërkombëtare në FIFA, të cilën detyrë e ka kryer për njëmbëdhjete vite rresht.

Champagne është mik i ngushtë i kreut të FFK-së, Fadil Vokrri. Ky i fundit thotë se francezi është një mik i madh i futbollit kosovar, i cili vazhdimisht e ka ndihmuar futbollin kosovar në rrugën e realizimit të aspiratave të tij – inkuadrimit në FIFA e UEFA.

Duke e ditur se Champagne ka lidhje mjaft të forta në FIFA, drejtuesit e futbollit kosovar nuk e përjashtojnë mundësinë që ta angazhojnë atë, me pagë mujore, për ta përshpejtuar inkuadrimin e futbollit kosovar në familjen botërore të futbollit – proces ky i cili po ecën ngadalë, me gjithë përpjekjet e mëdha të udhëheqësve të futbollit kosovar.

“Ai është një mik i madh i yni, i cili na ka ndihmuar shumë. Ai është mik i ngushë i imi personal, i cili më ka premtuar se do ta shfrytëzojë çdo mundësi për të na ndihmuar. Mund të them se çdo mundësi është e hapur”, deklaroi shkurt për Express kreu i FFK-së, Fadil Vokrri.

Ndërsa angazhimin eventual të Jerome Champagne me pagë mujore në rolin e lobuesit dhe këshilltarit të FFK-së nuk e ka përjashtuar as nënkryetari i kësaj të fundit, Agim Ademi.

“Të gjitha mundësitë janë të hapura. Çdo njeri si Champagne, që ka njohuri dhe lidhje në FIFA, për ne është i nevojshëm. Champagne është mik i madh i yni, i cili na ka ndihmuar shumë dhe ka qenë çelës i afirmimit të futbollit kosovar në FIFA”, tha Ademi për Express.

Në anën tjetër, drejtori i Departamentit të Sportit pranë Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Ibër Alaj, thotë se ky institucion është i gatshëm ta ndihmojë shtëpinë e futbollit kosovar në këtë drejtim, nëse kërkohet një gjë e tillë.

“Deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë të tillë. Por, Departamenti i Sportit është i gatshëm ta ndihmojë FFK-në nëse kërkohet një gjë e tillë, normalisht në bazë të ligjit dhe kritereve, sepse dihet se ai është një njeri i afërt me FIFA-n dhe është në interes tonin, sepse dihet se FFK-ja po bën përpjekje të mëdha për t’u ndërkombëtarizuar. FFK-ja ka donatorët e saj, prej të cilëve do të mund t’i siguronte pagë atij, por edhe do të merrte benificione të tjera që i takojnë”, ka thënë Alaj për Express.

Jerome Champagne para pak javësh ia ka bërë një vizitë private Republikës së Kosovës. Ai ishte mysafir i Fadil Vokrrit, derisa është bindur se prezantimi i futbollit kosovar nga ana e drejtuesve të FFK-së, të cilin e patëm bërë më parë, por edhe në takimin me Sepp Blatter, ka qenë real.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›