E Shtunë, 31 Tetor 2026

Champions League ka sjelle nje miks emocionesh

Gëzim, krenari, zhgënjim por edhe zemërim. Ndeshjet e së martës në Champions League kanë transmetuar emocione pa fund dhe kjo është parë qartë edhe në sallat e konferencave. Ekipi më i kritikuar në këtë periudhë ka qenë Çelsi, por me fitoren bindëse 3-0 me Valencian, trajneri Andre Vilas-Boas ka shfrytëzuar rastin për t’u kundërpërgjigjur. “Askush nuk besonte se do të fitonim grupin, por ne e arritëm këtë objektiv, i cili shpërblen skuadrën. Na kanë kritikuar vazhdimisht, por me këtë rezultat i dhamë një shuplakë në fytyrë këtyre njerëzve”, tha tekniku 34-vjeçar.

Në anën tjetër, Unai Emeri i Valencias ka pranuar dështimin, por kërkon që skuadra e tij të shohë përpara. “Tashmë, synimi im është që të fitoj Europa League. Nuk mund të fajësoj për asgjë lojtarët dhe Leverkuseni e Çelsi e merituan kualifikimin”, tha drejtuesi i stolit të spanjollëve.

Olimpik Marseja ishte protagonistë e një përmbysjeje të jashtëzakonshme në fushën e Borusias së Dortmundit dhe me fitoren 3-2 u kualifikua në 1/8-at. Didië Deshamp u shpreh krenar për ekipin: “Kjo ndeshje do të mbetet në historinë e klubit, pasi me krenarinë që treguam arritëm të kualifikoheshim pas dy vjetëve, tha trajneri. Deri në minutat e fundit rrezikonim ti jepnim lamtumirën aktivitetit, por fitorja erdhi falë paraqitjes së jashtëzakonshme kolektive”. Në anën tjetër, trajneri i Borusias, Jurgen Klop u shpreh i zhgënjyer duke theksuar se “na u shemb toka nën këmbë dhe diferenca prej 7 pikësh me vendin e parë është dramatike”.

Zeniti eliminoi Porton në Grupin G, me barazimin 0-0 në “Estadio do Dragao”, por trajneri Luçiano Spaleti nuk beson se ky rezultat ishte i papritur. “Në këndvështrimin tim, kualifikimi i Zenitit përballë Portos nuk është një mrekulli. Kisha besim se skuadra do të kalonte në fazën tjetër”, tha 52-vjeçari. Ndërkohë, tekniku i portugezëve, Vitor Pereira u shpreh mjaft i zhgënjyer për lojën e skuadrës së tij. “Nuk arritëm të krijonim raste për shënim, pavarësisht se skuadra tregoi karakter dhe kualitet. Rusët kishin ardhur me synimin e vetëm për t’u mbrojtur dhe këtë e arritën”.

Në Grupin H, Pep Guardiola është shfaqur i kënaqur me paraqitjen e talenteve të Barcelonës, në fitoren 4-0 me Bate Borisov. Katalanët nuk hasën asnjë vështirësi pa Mesin, Ksavin, Iniestën apo Fabregas, ndërsa Pedro ishte i vetmi lojtar stabël që u aktivizua. “I thashë djemve të hynin në fushë dhe të argëtoheshin. Ata nuk ishin të frikësuar, përkundrazi u paraqitën mjaft mirë. Morrëm mesazhe të rëndësishme, se këta të rinj mund të luajnë kur ekipi të ketë nevojë”. E kundërta ndodhi me Milanin, që në Pragë barazoi 2-2 me Viktoria Plzen, në një sfide e cila dukej e fituar. Tekniku Masimiljano Alegri ishte me të drejtë i zhgënjyer. “Jemi të zemëruar, sepse po fitonim 2-0 pak minuta përpara mbylljes së takimit, tha trajneri kuqezi. Duhet të jemi të përqendruar deri në fund dhe me Viktorian morrëm një mesim që shpresoj se do të na vlejë për të ardhmen”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›