Champions LeagueInter pret në San Sirogjermanët e Shalkes
ITALI- Kujtimet e derbit të humbur në shifrat 3-0 janë ende të freskëta, por Interi dhe Leonardo duhet të mendojnë për sfidën në Champions League ndaj Shalke 04. Zikaltërit janë kampionët në fuqi dhe këtë vit synojnë të arrijnë të paktën në finalen e Uemblit. Në prag të sfidës me gjermanët e Shalkes, pyetjet mbi teknikun Leonardo kanë qenë më shumë për sfidën e së shtunës ndaj Milanit, por braziliani kërkoi të përqendrohej te Champions. Në “San Siro” sonte do të jetë mysafire Shalke 04, një skuadër e konsideruar si më e dobta nga ato 8 që kanë arritur në çerekfinale. “Nuk duhet ta nënvlerësojmë, sepse ajo është një skuadër e mirë dhe nuk është në çerekfinale rastësisht, - u shpreh Leonardo. – Shalke në Champions ka luajtur kundër skuadrave të mëdha dhe ka arritur deri këtu. Ka shumë opsione, por gjithnjë ka gjetur mënyrën e duhur për të qenë kompetitive në Evropë. Veç kësaj, ata kanë shumë entuziazëm. Raul është futbollist me një histori të pabesueshme. La Realin e Madridit pas shumë vitesh dhe zgjodhi një tjetër sfidë, në një vend tjetër. Ai është simboli i kësaj ecurie të Shalkes”, shtoi trajneri brazilian. Në krah të Leonardos në konferencë ka qenë edhe sulmuesi Diego Milito, që është i gatshëm për të luajtur.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)