E Shtunë, 31 Tetor 2026

Champions, të martën superndeshja Barça-Inter

BARCELONE- Champions League do të rikthehet ditën e martë me ndeshjet e pesta në grup, ku ajo që spikat është kryesfida mes Barcelonës dhe Interit në “Kamp Nou”. Katalanasve u duhet patjetër të fitojnë për të mos rrezikuar eleminimin që në fazën në grupe, duke qenë se rivalët e Rubin Kazan do të presin në fushën e tyre Dinamon e Kievit. Për trajnerin Pep Guardiola mbeten në dyshim Lionel Mesi dhe Zllatan Ibrahimoviç, megjithatë të dy mund të riaftësohen në momentet e fundit. “Nuk mund ta mohoj se kur flasim për Ibrën dhe Mesin, flasim për dy lojtarë të rëndësishëm, por gjithçka kemi arritur, ne e kemi arritur si skuadër. Nuk ka shumë rëndësi se kush luan në fushë”, deklaroi Pep Guardiola përpara kësaj ndeshje. “Deri nesër nuk dimë asgjë, por do të bëjmë gjithçka që Mesi të jetë në fushë”, shtoi ai lidhur me talentin argjentinas. Takimi i së martës do të jetë një rikthim në Kamp Nou edhe për Hoze Murinjon, që ka punuar aty si ndihmës i Bobi Robson. Murinjo deklaroi se kjo sfidë është e ndryshme nga ajo e shtatorit në “San Siro”, që përfundoi në barazim pa gola. “Diçka ka ndryshuar. Ka ndryshuar sidomos fakti se kur u ndeshëm në muajin shtator, vetëm unë dhe Guardiola kishim respekt për grupin, të gjithë të tjerët mendonin se ne do të kualifikoheshim lehtësisht dhe Rubini e Dinamo do të ishin turistët e Evropës Lindore. Të gjithë thonin se kjo ndeshje do të ishte shumë e qetë. Shikoni tani se çfarë qetësie... Të dyja skuadrat kanë shumë presion”, u shpreh tekniku zikaltër.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›