E Shtunë, 31 Tetor 2026

Chavez paralajmëron tërheqjen nga OSHA

Karakas -Presidenti i Venezuelës Hugo Chavez paralajmëroi dje se vendi i tij do të tërhiqej nga Organizata e Shteteve të Amerikës, që i akuzoi se dominohen nga Uashingtoni, pasi ky i fundit e kritikoi qeverinë e tij për mosrespektim të të drejtave të njeriut. Presidenti majtist Chavez dhe presidenti i SHBA-së Barak Obama shtrënguan duart me njeri-tjetrin gjatë një samiti të organizuar në Trinidad muajin e kaluar, sinjali i parë i ngrohjes së mardhënieve dypalëshe pas një dekade të gjatë lufte fjalësh.

"Ne duhet të bëjmë pyetjen se përse Organizata e Shteteve të Amerikës është e përshtatshme", tha Chavez gjatë një fjalimi të transmetuar në televizion. "Venezuela mund të tërhiqet nga kjo organizatë, madje t'u bëjë thirrje edhe vendeve të tjera që ta çlirojnë veten nga këto institucione të vjetra", vazhdoi ai.

Organizata në fjalë, në të cilën përfshihen të gjitha vendet e kontinentit amerikan përveç Kubës komuniste, e përfshiu këtë javë Venezuelën në një listë vendesh që duhet të bëjnë më shumë për të drejtat e njeriut. Chavez, i cili e ka akuzuar organizatën për mbështetje të një grushti shteti kundër tij në vitin 2002, reagoi ashpër ndaj komisionit të organizatës për të drejtat e njeriut.

Ai ripërsëriti një propozim për vendet e Amerikës Latine që të largohen në grup nga kjo organizatë dhe të krijojnë një organizëm të ri "larg ndikimit imperialist të Shteteve të Bashkuara". Qeveritë aleate të Chavez e kanë mbështetur teorikisht në të shkuarën këtë propozim, por ndërkohë kanë bërë pak hapa konkrete për të krijuar një organizëm të ri diplomatik që do të përfaqësonte Hemisferën Perëndimore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›