Chelsea, përballje e zakonshme

“Chelsea? Asgjë e veçantë”, kështu ka thënë trajneri i Interit, Jose Mourinho, në prag të ndeshjes kundër Lazios në Serie A të dielën, duke komentuar shortin e rrethit të parë të fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve.
Gjiganti londinez do të takohet me kampionin e Italisë, që udhëhiqet nga Mourinho, i cili njeh shumë mirë ekipin anglez ku kishte qenë i angazhuar nga viti 2004-2007 dhe fitoi dy tituj në Premierligë, por dështoi të triumfojë në Ligën e Kampionëve.
“Nuk kam shumë për të thënë. Janë më tepër se dy muaj dhe duhet të përgatitemi për ndeshje tjera para se të luajmë në Ligën e Kampionëve. Është tregim i njëjtë si gjithmonë, një kundërshtar i fortë, ndeshje e vështirë. I njohim, priten dy takime të ekuilibruara. Asgjë e veçantë”, tha Mourinho gjatë një konference për shtyp të shtunën.
“Në rregull, është ish ekipi im, janë ish futbollistët e mi, ish tifozët dhe ish stadiumi im. Por, asgjë e veçantë”, shtoi ai.
Mourinho ka insistuar se nuk ka ndjenjë të posaçme para përballjes me ish ekipin e tij. “Si profesionist, e vlerësoj ndeshjen në mënyrë të njëjtë sikur të bëhej fjalë për Manchester United, Arsenalin apo ndonjë ekip tjetër. Tani duhet të përqendrohemi në kampionat, në Kupën e Italisë e pastaj të mendojmë për Chelsean”, përfundoi ai.