E Shtunë, 31 Tetor 2026

E treta, e vërteta

Raymond Domenech do të qëndrojë në postin e selektorit të Kombëtares franceze, sipas presidentit të Federatës Franceze të Futbollit (FFF), Jean-Pierre Escalettes, i cili u ka dhënë fund spekulimeve që kanë krijuar dyshime rreth të ardhmes së trajnerit.

Domenech ka qenë i kritikuar nga tifozët e Trekolorëve dhe presioni ishte shtuar ndaj ish trajnerit të Lyonit pasi Francës iu nevojit një gol i debatuar gjatë në kohën shtesë për të siguruar kualifikimin për Kampionatin botëror 2010.

Anëtari i Bordit të FFF-së, Guy Chambily kishte bërë thirrje për votim rreth të ardhmes së Domenechut në postin e selektorit, por pas një takimi, është vendosur që 57 vjeçari të qëndrojë në rolin e tij.

“Çështja ishte paraqitur para të gjithë anëtarëve të bordit nga Guy Chambily”, tha presidenti i FFF-së, Jean-Pierre Escalettes.

“Debati zgjati rreth një orë e gjysmë pa praninë e Raymond Domenechut. Të gjithë e kanë shprehur mendimin e tyre. Por, nga të gjithë anëtarët e Bordit të Federatës askush, në përjashtim të Guy Chambily, nuk kërkoi që të ketë debat të hapur rreth qëndrimit ose largimit të Raymond Domenechut”, shtoi Escalettes.

Ai beson se çfarëdo ndryshimi në drejtimin e Kombëtares franceze do të kishte pasur ndikim negativ në përgatitjet e ekipit për Kampionatin botëror.

“Çfarëdo ndryshimi do të kishte pasur ndikim kundër-produktiv, pasi synimi ynë duhet të jetë përgatitja e Kombëtares franceze për Kampionatin botëror, dhe do të kishte qenë në kundërshtim më vendimet e zakonshme të bordit që dy herë më parë ka konfirmuar Raymond Domenechun për selektor. Ai kishte detyrë të kualifikojë Francën për Kampionatin botëror dhe e bëri këtë. Ne jemi kualifikuar dhe ky ishte objektivi kryesor që figuronte në kontratën e tij”, përfundoi Escalettes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›