Chelsea protagonist. Premton trajneri Villas-Boas

Trajneri I Chelsea, Andres Villas-Boas duket se është ambjentuar shumë shpejt me skuadrën e tij të re, madje shprehet i bindur se blutë e Londrës do të jenë protagonistë të padiskutueshëm të sezonit të ardhshëm. Nga Hong Kongu, ku ekipi anglez po zhvillon fazën përgatitore, tekniku ka lëshuar sfidën ndaj të gjithë rivalëve, duke nisur nga Manchestr United që është dhe kampioni në fuqi i Premier Ligës.
“Kur erdha këtu, më bindi projekti i klubit dhe objektivat e tij që janë të njëjtë me vitet e fundit. Chelsea ka bërë një paraqitje të mirë në kampionat, ndërsa ka arritur katër herë në gjysmefinale dhe finalen e Ligës së Kampioneve, por tani ka ardhur koha të fitojmë”, ka thënë Villas-Boas.Trajneri portugez u ul në pankinën e Chelsea pas një sezoni triumfues me Porto, ndërsa te blutë e Londrës kërkon të përsërisë të njëjtin sukses. Villas-Boas ka folur edhe për merkaton e verës, duke zbuluar se klubi është në kërkim të një sulmuesi.
“Skuadra është në një formë të mirë dhe thuajse e kompletuar. Gjithsesi, ne mendojmë për të ardhmen dhe gjatë kësaj merkatoje do të kërkojmë të afrojmë një sulmues të ri”, ka përfunduar trajneri, i cili megjithëse në moshe shumë të re ka hyrë në listën e emrave më të kërkuar të pankinave europiane.
Nertan Prifti