Chic&Luftë
Më 17 nëntor Biblioteka Kombëtare prezanton një ide të veçantë me të cilën përkujton Çlirimin e Tiranës po edhe jubileun e 65-të të Çlirimit të vendit.
Ideja thotë se lufta mbetet gjithmonë luftë dhe jeta mbetet gjithmonë jetë. Njerëzit në kohë lufte mbrohen dhe jetojnë. "Chic & luftë" quhet ekspozita që hapet në Bibliotekën Kombëtare, ora 18.00. Botimet e vitit '44, libra, revista, reklama, dëshmojnë jetën paralele me luftën, jetën materiale, shpirtërore dhe kërkesat për t'u informuar për çka ndodh rreth e rrotull, dhe për t'ua gjetur jehonën ngjarjeve të përbotshme tek ndodhitë Shqipëri. Titujt që janë zgjedhur për ekspozim flasin për këtë: "Amerika", "Leninizmi", "Lufta në Pacifik", "Historia e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik", "Revolucion i Kongresit të I-rë të Gruas Antifashiste Shqiptare", "Adolf Hitler, Prijësi i Evropës së Re", "Parti Komuniste apo Parti Terroriste...?!"
Po ka edhe kështu: "Zingone vesh gjithë Romën" slogani i magazinave ma të mëdhaja të kryeqytetit me robe për zonja, burra e fëmijë, deri edhe valixheri. Ka shtëpi të muzikës dhe e kinkalerisë që ofron instrumenta, pllaka gramafoni, radio, ka rrobaqepsi që ofrojnë modele nga Vogue Pattern etj.
Kurse shtëpia botonjëse Kristo Luarasi në Tiranë njofton se "kanë dalë në shitje romancat ma të bukura" që publiku ka kënduar deri më sot." Disa nga titujt janë "Bija e mallkuar", "Zonja me kameliet", "Dashurija në Hong-Kong", "Romeo e Xhulieta". Në një shënim tek "Fryma" nr. 4, viti 1944, vë në dukje "frenezinë e botimeve": Libri shqip kishte vdekur prej shumë kohe më parë. Tash e nja dy muaj ka zënë e po ngjallet. Gjatë katër vjetësh librave shqip u kish shkuar moda. Të pakë ishin ata që I lëçitnin, më të pakë ata që i shkruanin..."
Institucionet e kulturës flitet se do të kenë aktivitete për përvjetorin e Çlirimit, por deri tani asgjë nuk është bërë e ditur. Biblioteka Kombëtare me "Chic & Luftë" e ka sugjeruar tashmë një lexim të luftës që është më afër njerëzve, se leximet e mërzitshme me sherre për datën e çlirimit dhe gjermanin e fundit që iku nga Shkodra që politika dhe media i bën kësaj ngjarjeje.